Luftë brigjesh
Premiera “Në Zvornik lashë zemrën time”, një vepër për luftën dhe shndërrimin e qenieve njerëzore
“Sponda Bosnia, sponda Serbia!”- “Bregu boshnjak, bregu serb!”. Vetëm ai mund t’i dëgjojë ujërat. Për veshët e tij është muzikë. Është kompozitor. Me vete mban partitura, bagetën, një regjistrator, madje dhe xhaketën “bishtdallëndyshe” të dirigjentit. Është mysliman dhe pa qenë ndonjë besimtar i devotshën fle me kokën nga veriu e këmbët nga jugu. U kthye në Zvornik për të vizituar varret e prindërve, pse jo edhe për të gjetur frymëzimin e munguar pranë ujërave të Drinos, që ndan Bosnjen nga Serbia. Nuk e dinte se nuk do të kthehej më.
Përgjatë dy netëve, në skenën e Akademisë së Arteve u shfaq drama “Në Zvornik lashë zemrën time”, me regji të Federica Restanit, si një bashkëpunim mes Teatrit të Metropolit dhe atij të Mantovës. I pranishëm në premierën e veprës ishte dhe autori i dramës, Abdullah Sidran. E ka përjetuar luftën e Bosnjes, ndaj dhe ka zgjedhur të japë atë çka ka ndodhur, përmes syve të një artisti. Përvoja i ka mësuar se luftë nuk do të thotë vetëm shkatërrim, por shndërrim, zbulim karakteresh. Në luftë, një hotelier kthehet në një kasap, një kamarier në xhandar dhe një muzikant naiv në një “rrezik” të tmerrshëm për Republikën. Ngjarja zhvillohet në një hotel, i cili më vonë kthehet në një bazë të militarëve serbë. Skenografia është e thjeshtë. Objektet vlejnë më shumë për të përforcuar fjalën. Si një vepër e realizuar në një kohë rekord, prej 17 ditësh, Restani ofroi një punë të mirë. Është ndihmuar sigurisht edhe nga loja e aktorëve. Roli i kompozitorit u soll nga Adriano Evangelisti. Ashtu naiv, me atë marrinë artistike, që ia ngatërron ëndrrën me realitetin. Hotelieri u luajt nga Marco Casazza, i prerë për role njerëzish të dyshimtë, të prirur më shumë ndaj së errëtës. Të tjerë aktorë ishin Ema Andrea, në rolin e prostitutës Vera, që falë plastikës trupore, e bënte personazhin më të besueshëm. Helidon Fino vjen si një kolonel serb, me një qëndrim të impostuar, disi komik, më tej Alert Çeloaliaj, Gentian Hazizi, Devis Muka, Lulzim Zeqja e një grup vajzash, që formonin një kor a la antikitet. Prania e këtyre të fundit ishte një gjetje nga ana e regjisores. Herë si dallgë, herë si rremtarë, ato sillnin më të pranishëm qytetin Zvornik. Pjesa u interpretua në gjuhën italiane dhe falë një dhuntie të çuditshme të shqiptarëve, hendeku gjuhë është kaluar me lehtësi nga aktorët tanë. Ajo që nuk arrihet të kalohet prej këtyre të fundit është teatraliteti i tepruar. Përkundër dy aktorëve italianë, të Teatrit të Mantovës, aktorët tanë, se pse kanë qef ta ngrenë zërin ca më tepër se ç’duhet. (Apo është veti e shqiptarëve që nuk bëjnë dot “sherr” pa klithma?) Duket sikur nuk e krijojnë dot një situatë tensioni pa bërtitur. I tepruar dhe i rëndë për publikun ishte përdorimi i shpeshtë i të shtënave. (Çdo e shtënë ishte një kërcim përpjetë). Ndoshta autorët e kanë menduar si një formë katarsi.