E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Dhjetori, festë për fitoren e demokracisë - nuk do lejojmë rikthimin e Murit të Berlinit, 19 vjet më pas

Në fjalën etij para grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha rikonfirmoi miratimin e ligjit antimafie së afërmi, ndërkohë që i shpalli të dështuara përpjekjet e familjeve ish-komuniste, për rehabilitimin e Murit të Berlinit për shqiptarët, 19 vjet pasi studentët e rrëzuan atë m’u para syve të Ramiz Alisë


Kryeministri Berisha mori pjesë sot në mbledhjen e radhës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: “Së pari ju përshëndes. Së dyti, dua të ndalem në një problem i cili ka të bëjë, në një aspekt, me liberalizimin e vizave dhe kjo është një jashtëzakonisht e rëndësishme. Por nga ana tjetër, ka të bëjë me sigurinë, stabilitetin e jetës, e punës, e pasurisë së qytetarëve shqiptarë. Ky problem është ligji antimafie, që ju keni në duar dhe që keni shqyrtuar në komisione parlamentare me seriozitetin më të madh. Ky ligj është i standardeve më të mira të vendeve që kanë dëshmuar vullnet të hekurt në luftën kundër mafies.


Javën që kaloi, Ministri i Brendshëm i Italisë, bëri një vizitë në Tiranë, realisht shumë të suksesshme. Mund t’ju them se zoti Maroni shprehu një vlerësim shumë të madh për efiçencën, suksesin e organeve të rendit dhe e organeve të tjera të zbatimit të ligjit në vend, në luftën kundër krimit të organizuar, bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston në këtë fushë. Por, nga ana tjetër, ai më tha se, të gjitha sukseset e fundit në Itali të luftës kundër mafies, të cilat janë suksese shumë të mëdha, e kanë bazën e tyre në zbatimin rigoroz të ligjit antimafie dhe të një disipline të caktuar në burgjet e Italisë, për bosët e mafies. Ky ligj i jep mundësi çmontimit të pasurisë së krimit, të vendosur nga mafia, bllokimit të saj, çka do të thotë “de facto” bllokim i mundësisë së funksionimit të degëve të klanit, të pa goditura për vepra penale nga ligji.


Unë e kuptoj diskutimin që ngjall, por standardi për këtë ligj është marrë nga vende me traditë ndër më të konsoliduar demokratike. Ndaj, ai është shqyrtuar me misionin e Bashkimit Europian, për të ndihmuar organet e drejtësisë shqiptare në ligjbërjen e tyre dhe ka pasur mbështetjen e plotë të këtij misioni. Nuk ka diskutim se ligjet antimafia në gjithë botën, ngjallin diskutimet e veta. Kjo është normale. Por, absolutisht, pa ligje të rrepta, mafia nuk mund të luftohet. Ne jemi shumë të detyruar të përshtatim ligjet tona me Italinë, në këtë aspekt, sepse pikërisht këtë çështje ngriti edhe ministri i Brendshëm italian. Problemi, tha ai, është që të mos krijohet asnjë hapësirë për transferimin e pasurive krimit, sepse akti i parë që ata do të bënin për t’i shpëtuar bllokimit, do të ishte transferimi i këtyre pasurive në një vend tjetër, veçanërisht në vende të cilat nuk mund të veprojë ligji, ashtu siç vepron ligji italian. Pra, duke u nisur edhe nga ky aspekt, ne kemi një detyrim ndërkombëtar, në bashkëpunimin me një vend i cili jep një ndihmë të dorës së parë në luftën e përbashkët kundër kriminalitetit, kundër krimit të organizuar. Është me interesin më të madh që të dihet se bosët e mafies nuk mund të transferojnë pasuritë e tyre nga Shqipëria në Itali dhe e kundërta. Sikundër, as me vende të tjera.


Gjykoj se ditën e enjte, ndoshta do të jetë e pamundur të votohet në parlament për këtë ligj, sepse do të votohet për buxhetin. Por, në axhendën më të afërt të parlamentit ne duhet të votojmë këtë ligj, për të gjitha këto motive; për motivin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në Europë, proces i cili po ecën me sigurinë më të madhe, për shkak të seriozitetit që ne po dëshmojmë në reformat tona, për të plotësuar një për një të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit për heqjen e vizave.


Heqja e vizave përbën një arritje shekullore. Ne duhet të ndihemi krenarë për reformat që ndërmorëm, për të bërë të mundur këtë proces, duhet të jemi krenar sepse Shqipërinë, nga një protektorat krimi dhe droge të Aldo Bareve dhe të bashkëpunëtorëve të Aldo Bares në pushtet, etj, e bëmë një vend të besueshëm për të gjitha vendet anëtare, por në radhë të parë për të dy vendet tona fqinjë e mike, Italinë dhe Greqinë. Unë e falënderova edhe zëvendësministrin grek që vizitoi vendin tonë, për mbështetjen që Greqia ka dhënë në këtë proces shumë të rëndësishëm. Janë rreth 1 milionë shqiptarë që do të hyjnë e dalin në të dy vendet pa viza, do shkojnë, do të kthehen sërish.


Me këtë rast, dua të siguroj qytetarët shqiptarë se të gjitha përpjekjet për ta bllokuar këtë proces përfunduan në lumin Lanë, i mori Lana. Procesi po ecën në mënyrë të shkëlqyer. Axhenda parlamentare e muajit dhjetor do të jetë një axhendë intensive. Janë edhe një seri ligjesh të tjera; ligji i premtuar nga ne për dhënien në pronësi të një sipërfaqeje të caktuar toke punonjësve të fermave bujqësore. Ne i qëndrojmë këtij ligji dhe do ta votojmë atë. Ka një lloj mendimi të ri nga komisioni parlamentar që të mund të shihet një përshkallëzim sipas banorëve, sipas familjes. Kjo duhet të studiohet. Në parim edhe mund të bëhet, pasi një gjë tjetër është një familje me dy anëtarë, tjetër gjë është një familje me 4-5 anëtarë. Por, pavarësisht se një pjesë e këtyre tokave tashmë janë troje turistike, unë jam i vendosur që t’i qëndroj premtimit elektoral që kemi bërë në Ksamil, në Orikum e kudo tjetër. Ndaj, ky ligj është pjesë e reformës. Do të ketë edhe ligje të tjera shumë të rëndësishme që pritet të votohen në parlament, si ligji për investimet e huaja direkte, për garantimin e tyre, ligje që kanë të bëjnë me qëndrimin ndaj tokës së braktisur. Ky vend nuk ka tokë për të braktisur. Ky është vend tokëpak. Po të marrim sipërfaqen e përgjithshme të tokës, ku kemi 4 milionë e ca banorë, vihet re se vende të tjera, bullgarët ose kombe të tjera, e kanë shumë herë më të madhe sipërfaqen për frymë.


Axhenda tjetër është festë. Këtë vit, Europa dhe bota festoi 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Shqipëria nuk e kishte 20 vjetor, por 19 vjetor, sepse tek ne, rrëzimi i Murit të Berlinit ndodhi një vit më vonë, për arsye se klika në pushtet ishte e tipit më të egër, më barbare, më mizore. Në rast se rikthehemi pas, tek vitet ’90, kur “Murin e Berlinit” në Tiranë e rrëzuan mijëra e mijëra djem e vajza të rinj që u futën në ambasada, vërehet se e vërteta është që nomenklatura e atëhershme ia doli ta rivendosë atë. Në memorien e kombit mbetet i paharruar mitingu i organizuar për të dënuar heronjtë e vërtetë të asaj lëvizjeje liberatore. Por, kjo ishte e përkohshme, sepse murin do ta fshihnin nga faqja e dheut studentët e universitetit të Tiranës, në dhjetor të vitit ’90, në 8 dhjetor, të cilët me demonstratat e tyre të fuqishme do të sillnin shembjen përfundimtare të Murit të Berlinit dhe do të hidhnin në koshin e plehrave të historisë, përmes një procesi demokratik, udhëheqjen staliniste të asaj kohe.


Mund të tingëllojë si joreale përpjekja për rikthimin e “Murit të Berlinit”, por faktet i kthyen ato përpjekje dhe vetëm ato muaj, në kufijtë e Shqipërisë, janë vrarë me dhjetëra e qindra të rinj për fajin e vetëm se kërkonin të dilnin në botën e lirë. Kështu që 8 dhjetori, do të jetë festa e shembjes së “Murit të Berlinit”, në Tiranë. Ajo do të jetë një festë e madhe, një festë në të cilën do të marrë pjesë e gjithë Shqipëria. Do të jetë një festë për Europën, për aspiratën tonë europiane, e cila mori në 16 nëntor të këtij viti, thirrjen e të gjitha vendeve anëtare të BE. Vendimi i 16 nëntorit është vendimi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Pra, në qoftë se dje, para këtij vendimi, çështjet dhe marrëdhëniet kontraktuale kanë qenë në kuadrin e asociimit, tashmë kemi të bëjmë me procesin e anëtarësimit. Gjithashtu, ne festojmë me krenari, si vend anëtar i NATO-s. Kjo është festa e parë që i gjen shqiptarët dhe Shqipërinë me idealin euroatlantik të realizuar. Pasi shembëm “Murin e Berlinit”, historia na dha mundësi që të shndërrojmë në realitet këtë ëndërr të madhe. Kjo ndodhi për faktin e thjeshtë se ne besonim realisht tek kjo ëndërr dhe ne e realizuam atë. Kështu që ky 8 dhjetor, idealin europian, idealin euroatlantik, e gjen më të fuqishëm se kurrë në Shqipëri. Ndaj do të jetë një festë e madhe, një festë e cila synon jo vetëm nderimin për atë që është bërë dhe për atë që është arritur, por më shumë nxisim horizontin e ri që duhet të kapim deri në 28 qershor të vitit 2013, në të cilin shqiptarët, me sa duket, do të votojnë edhe njëherë për këtë mazhorancë. Këta janë të gjithë treguesit. Faleminderit”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›