E Diel, 1 Nëntor 2026

Kina i kërkon kryeparlamentares Topalli mbështetje për zgjerimin e investimeve në ekonominë shqiptare

Kina, një vend lider në ekonominë botërore shpreh interes për forcimin e bashkëpunimit ekonomik me Shqipërinë, duke e parë vendin tonë si një partner serioz. Në ditën e 60 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës, një delegacion i Asamblesë Popullore Kombëtare të Kinës ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Në takimin miqësor me Kryetaren e Kuvendit u theksua se distanca gjeografike mes dy vendeve është e pandjeshme për shkak të marrëdhënieve të forta tradicionale politike dhe ekonomike. Delegacioni i mbërritur në Shqipëri i përket komisionit të bujqësisë në Asamblenë e Kinës, vend i cili gjatë dekadave të fundit, është kthyer në një prej gjigandëve të ekonomisë në botë. Duke përgëzuar për këtë zhvillim ekonomik galopant të Kinës, Kryetarja e Kuvendit, shprehu kënaqësinë që bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve është intensifikuar, ndërsa ekziston i gjithë vullneti për të çuar në një tjetër nivel marrëdhëniet ekonomike. Anëtarët e delegacionit, duke e konsideruar si shumë domethënëse ftesën e Kryetares së Kuvendit, por edhe vizitat e niveleve të larta të kohëve të fundit, shprehën interes në konkretizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e ekonomisë. Ecuria e shkëmbimeve tregtare me Kinën ka një tendencë pozitive në vitet e fundit. Eksportet shqiptare drejt Kinës për vitin 2008 janë rritur gati dyfish në raport me vitin 2006. Kryetarja e Kuvendit duke shprehur kënaqësinë për praninë në rritje të biznesit të madh të Kinës në Shqipëri, tha se kompanitë kineze janë të mirëpritura të investojnë në fushat e energjisë, infrastrukturës, shfrytëzimit të pasurive natyrore apo teknologjisë. Duke u ndalur te bujqësia, Kryetarja e Kuvendit theksoi se programi qeverisës i ka kushtuar një vëmendje të veçantë këtij sektori, prodhimit bio, por edhe trajtimit të fermerëve dhe zonave rurale, që mbeten një aset i ekonomisë vendase. Kryetarja e Kuvendit përsëriti qendrimin se Shqipëria njeh vetëm një Kinë, duke shprehur garancinë se ekzistojnë të gjitha premisat për forcimin e dialogut ndërshtetëror në të gjitha nivelet. Kryetarja e Kuvendit i përcolli Kryetarit të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, Bangguo përshëndetjet e përzemërta, duke shprehur bindjen në konkretizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy parlamenteve por edhe mes dy vendeve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›