E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Lulzim Basha: Ligji antimafia, faza e re e goditjes kundër krimit të organizuar

Ligji “Antimafia” dhe ligji për konfiskimin e pasurive janë mjete të reja ligjore në luftën e pashtershme të Policisë së Shtetit kundër krimit të organizuar. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, duke paralajmëruar për një fazë të re të luftës së Policisë së Shtetit kundër mafias dhe krimit të organizuar. “Një fazë e re ka nisur në luftën kundër mafias. Kjo luftë do të fitohet nga Policia e Shtetit. Në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, në javët dhe muajt e ardhshëm, ne do të intensifikojmë goditjen ndaj krimit të organizuar duke shënuar nivelet më të larta të kësaj lufte”, deklaroi ministri Basha. Këtë deklaratë ministri Basha e bëri pas një ceremonie dhurimi të disa pajisjeve për trajnime mbi taktikat mbrojtëse të programit ICITAP, ku ishte i pranishëm edhe Ambasadori i SHBA, John L. Withers II. Pajisjet, si kostume taktike, pistoleta mësimore, thika e shkopinj mësimore, dyshekë të palosshëm, mburoja etj, iu dhuruan Qendrës së Formimit Policor. Duke falënderuar për ndihmën e dhënë dhe duke theksuar se përvoja amerikane që po fiton Policia e Shtetit është një nga praktikat më të mira ndërkombëtare të shërbimit policor, ministri Basha tha se avancimi i policisë shqiptare drejt standardeve euroatlantike është padyshim një meritë e padiskutueshme e kontributit euroatlantik, dhe në këtë rast qeverisë së SHBA, për pajisjen e policisë me mjete dhe sisteme bashkëkohore dhe trajnimin me metodat më të përparuara të policimit. Ministri Basha u shpreh se në sajë të bashkëpunimit, Policia e Shtetit do të njohë rezultate edhe më të larta në punën e saj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›