Berisha Disiplina e forte fiskale zhvillim i vendit
Kryeministri, Sali Berisha parashtroi përpara drejtuesve vendorë çështjet kyçe në realizimin e projektit qeverisës Shqipëria një vend i zhvilluar. Kështu gjatë Konferencës për Mirëqenien, kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi punë e deri tanishme të qeverisjes vendore, por nga ana tjetër tërhoqi vëmendjen e krerëve të saj për zgjidhjen e problemeve që lidhen ngushtësisht me përmirësimin e jetesës. Në këtë mënyrë, ndërtimi i infrastrukturës moderne, disiplina e fortë fiskale, grumbullimi dhe menaxhimi i plehrave janë shtyllat kryesore, në të cilat duhet të përqendrohet puna e pushtetit lokal.
“Shprehim mirënjohje për qeverisësit vendorë. Decentralizimi i vendorëve ishte një proces i rëndësishëm, që sjell sot një qeverisje vendore të konsoliduar në rajon”, vuri në dukje Berisha, duke shtuar se e “gjithë vëmendja duhet t’i kushtohet realizimit të projektit Shqipëria vend i zhvilluar dhe në anëtare e BE-së”.
Njëkohësisht, Kryeministri kërkoi nga vendorët që të aplikojnë tashmë projektin e partneritet publik-privat, i cili aktualisht ka nisur të aplikohet në Bashkinë e Tiranës.
Por një pikë e rëndësishme e fjalës së kreut të qeverisë ishte dhe apeli për mbledhjen e taksës së pronës.
“Disiplina e fortë fiskale është e lidhur ngushtësisht me zhvillimin e vendit. Taksa e pronës dhe mbledhja e saj është një fond që mund të administrohet nga vetë nga vendorët, ndaj mbledhja e saj është e rëndësishme”, nënvizoi Berisha.
Po kështu, një pikë tjetër të cilës i mëshoi me forcë Kryeministri Berisha ishte problemi i plehrave dhe pastrimi i tyre.
“Vendorët janë gardianë të mjedisit dhe të rajonit. Pa një ambient të pastër nuk mund të kemi një zhvillim të turizmit. Turizmi kërkon vend të pastër, pa plehra. Drejtuesit e komunave të përzgjedhin hapësirat për të ngritur fidanishte”, u shpreh Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij në këtë konferencë.
Në këtë konferencë morën fjalën dhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, kryebashkiaku, Lulzim Basha, të cilët vlerësuan pikërisht nëvojën e bashkëpunimit mes dy pushtetev, atij lokal e qendror.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Basha nënvizoi domosdoshmërinë e komunikimit mes të zgjedhurve vendorë, për çështje që prekin drejtpërdrejt menaxhimin e atyre shërbimeve të domosdoshme për qytetarët. Mungesa e këtij komunikimi, sipas zotit Basha, prej kohësh kishte shkaktuar vonesa, që nga plani urbanistik deri tek transferimi i ujësjellës-kanalizimeve. Për këtë arsye, Kryetari i Bashkisë më të madhe në vend theksoi se që me marrjen e postit të Kryebashkiakut, ka vendosur një komunikim me të gjithë drejtuesit e njësive vendore, por edhe me drejtues të komunave dhe bashkive përreth Tiranës.
“Komunikimi ka qenë efektiv, i kënaqshëm me të zgjedhurit vendorë brenda qytetit të Tiranës, për çështje të tilla si decentralizimi i kompetencave drejt minibashkive dhe ka qenë po kështu i kënaqshëm edhe me komunat e bashkitë kufitare për çështje të tilla të planifikimit strategjik, si plani urban, vendosja e infrastrukturës kryesore apo parësore, projekte të tilla si zgjatimi i bulevardit të Tiranës, apo rehabilitimi i lumit të Tiranës, apo ndërtimi i terminalit të ri të pasagjerëve të cilët përfshijnë në shumë raste dy apo më shumë komuna apo bashki, në këtë rast Paskuqanin, Kamzën dhe Kasharin, pra sa herë ne jemi të drejtuar nga arritja e objektivave, komunikimi është jo vetëm i kënaqshëm por edhe rezultativ. Jam i bindur se e njëjta vlen edhe për komunikimin mes kryetarëve të njësive vendore, në nivel vendi”, vlerësoi Basha.
Gjithashtu, kryebashkiaku Basha theksoi rëndësinë e heqjes së pengesave artificiale në komunikim dhe udhëheqjen e të gjithë bashkëpunimit mes të zgjedhurve vendorë, drejt interesave parësore të qytetarëve.