E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhet për zgjedhjet në Greqi, “kryeson” abstenimi

ATHINE - Vetëm gati një muaj para zhvillimit të votimeve në Greqi, sondazhet nxjerrin në pah se asnjë nga forcat politike nuk merr dot shumicën për të krijuar një qeveri. 

Tre sondazhet e fundit të publikuara në shtypin grek tregojnë se parlamenti i ardhshëm grek do të mund të ketë 8 parti, ndërkohë që evidentohet një masë e lartë votuesish të pavendosur, që mendohet se do të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme. 

Përqindja e cdo force politike është thuajse e njëjtë në të treja sondazhet, me diferenca shumë të vogla, ndërkohë që në secilin sondazh vazhdon vërehet me shqetësim se në parlamentin e ri mund të përfaqësohet me deputetë edhe organizata ekstremiste “Agimi i Artë” (Hrysi Avgi).

Nga sondazhi i Kapa Research për gazetën To Vima, rezulton se ND do të marrë 18,1% të votave, PASOK 14,3%, partia Komuniste (KKE) 8,2%, Grekët e Pavarur 7,2%, SYRIZA 6%, E Majta Demokratike (DIMAR) 4,9%, LAOS 3,6%, Hrysi Avgi 3,4%, në kohën që limiti i hyrjes në parlament është 3%. 

Në sondazhin e kompanisë MRB për gazetën Real News, ND merr 20,3%, PASOK 12,1%, KKE 8,6%, SYRIZA 7,9%, DIMAR 7,4%, Grekët e Pavarur 7%, Ekologët e gjelbër 3%, LAOS 2,5%, Hrysi Avgi 2,6%. 

Në sondazhin e MARC për gazetën Ethnos, ND merr 17,8%, PASOK 13,2%, KKE 7,5%, DIMAR 7,35%, Grekët e Pavarur 7,1%, SYRIZA 6%, LAOS 2,5%, Hrysi Avgi 2,5%. 

Shënohet se në sondazhin e gazetës Ethnos bëhet edhe kombinimi dhe përllogaritja e mundshme e rezultatit zgjedhor dhe e vendeve që çdo parti do të merrte në parlament. Kështu, rezultati i zgjedhjeve do të ishte: 

ND, 24,8% - 120 vende,
PASOK 18,4% - 50 vende, 
KKE 10,4% - 29 vende, 
E Majta Demokratike 10,2% - 29 vende, 
Grekët e Pavarur 9,9% - 28 vende, 
SYRIZA 8,4% - 23 vende, 
LAOS 3,5% - 10 vende, 
Hrysi Avgi 3,2% - 9 vende

Në ballafaqimin Samaras–Venizelos për postin e kryeministrit, rezulton një diferencë mjaft e ngushtë: 28,5% për liderin e Demokracisë së Re, kundrejt 28,3% për liderin e porsazgjedhur të PASOK-ut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›