Berisha: Do bashkojmë kombin shqiptar në Kosovë dhe Shqipëri
Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës kanë në projekt bashkimin e kombit shqiptar që jeton në këto dy vende. Nuk bëhet fjalë për shkrirjen e dy shteteve në një të vetëm, por për eliminimin e barrierave burokratike që lindin nga ekzistenca e kufijve dhe pikave doganore. Është Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ai që ka bërë të ditur ekzistencën e një projekti të tillë, për zbatimin e të cilit, sipas tij, kanë nisur të punojnë dy qeveritë respektive. "Interesi kombëtar i yni, pas realizimeve të gjërave më të mëdha, siç është pavarësia e Kosovës, Shqipëria në NATO, ka projektin e vet për t'u realizuar.
Ky projekt konsiston në bashkimin e kombit shqiptar, në zhdukjen e pasojave të ndarjes së padrejtësisë, ndër më të mëdhatë që Evropa ka njohur ndonjëherë, ndarjes së tij. Për këtë që sapo them, ndodh që dhe njerëz që rrinë afër meje, thonë se çfarë ka ndërmend ky. Po, kam ndërmend që shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë dhe kudo që ndodhen në trojet e tyre, të ndjehen njëlloj. Dhe kam bindjen që zoti Thaçi ka të njëjtin përcaktim, sepse ky është një detyrim madhor", - tha kreu i ekzekutivit shqiptar, Sali Berisha, në një komunikim mediatik.
Megjithatë, për të mos lënë vend për interpretime negative të rangut rajonal, ai ka sqaruar se ky projekt nuk ka në qendër të tij përpjekjen formale të kufijve, por thjesht eliminimin e pengesave në dogana midis dy vendeve. "Natyrisht kjo nuk do të thotë dhe nuk ka të bëjë aspak me sovranitetin e secilit vend. Por ama, në themel të idesë së bashkimit kombëtar, qëndron ideali evropian dhe ne duhet të punojmë shumë dhe unë pres me padurim që sapo të krijohet qeveria e re, të nisim me zotin Thaçi, njësimin e një mori praktikave, e një mori barrierave që i pengojnë shqiptarët të ndihen një, në të gjithë hapësirën ku ata jetojnë", - tha më tej Berisha.