E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do bëjmë Rrugën e Mëndafshit që tregtia të kalojë nga Tirana në Pekin

Share

Berisha dhe presidenti turk, Abdullah Gyl

Rruga e Mëndafshit i ka mbetur në mendjen kryeministrit tonë. Bëhet fjalë për një rrjet rrugor që ekzistonte këtu e dymijë vjet më parë, që lidhte Azinë, Europën dhe Afrikën. Por kryeministrit tonë i është mbushur mendja top se po u bënë më pak se 150 kilometra rrugë, atëherë Tirana do lidhet me Pekinin dhe do ringjallet kjo rrugë historike.

Duke folur gjatë takimit të nivelit të lartë në 20 vjetorin e krijimit të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BEDZ), në Stamboll, Berisha u shpreh sërish për këtë çështje. Pak kohë më parë ai tha se do bëhej një hekurudhë për në Kinë.

Duhet të mbajmë parasysh se rruga më e vjetër që lidhte kontinentet kalonte përmes këtij rajoni, rruga Egnatia, rruga e mëndafshit. Ka një debat të gjatë për korridorin 8-të, i cili është një mijë kilometra dhe që besoj se ka ardhur koha që vendet tona të angazhohen për ndërtimin e këtij Korridori, i cili është edhe një nga segmentet kryesore e më të rëndësishme të rrugës së mëndafshit. Janë më pak se 150 kilometra të këtij Korridori që mungojnë midis Bullgarisë e Maqedoni dhe Maqedonisë e Shqipërisë dhe tregtia do të kalojë nga Tiranë në Pekin. Ne shpresojmë që në vitet që vijnë, BESC, në interesin më të mirë të vendeve tona dhe të zhvillimit global, të ndjekë një politikë më agresive në drejtim të rindërtimit të infrastrukturave lidhëse ndërkombëtare, tha Berisha.

Berisha tha se vendet e rajonit të Detit të Zi kanë njohur rritjen më të lartë ekonomike në glob në këtë periudhë krize.

Në këtë periudhë të krizës më të vështirë europiane e botërore, ky rajon ka disa nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë dhe disa nga ekonomitë me rritjen më të madhe në botë. Gjithashtu nëse shohim marrëdhëniet midis vendeve tona, ato nuk kanë qenë asnjëherë më të mira se në këtë periudhë dhe në e rëndësishmja, asnjëherë më shumë se sot, vendet tona nuk kanë qenë të lira e demokratike, sesa jemi sot. Ndaj ne vijmë krenarë në këtë qytet, në këtë takim, tha Berisha.

Berisha tha se duhet bashkëpunuar më shumë për të luftuar trafikun e drogës që lulëzon në këtë pellg.

Në fund ai kërkoi që të pranohet realiteti se Kosova e pavarur ka sjellë paqe e stabilitet në rajon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›