Hidhet poshtë ankesa e Shkëlzen Berishës ndaj gazetës kosovare Zëri
(E PERDITESUAR)- Këshilli i Mediave të Shkruara i Kosovës, si organ vetërregullues i mediave të Kosovës, të martën shqyrtoi tri ankesa: ankesën e Bujar Gjikollit, drejtor i repartit të Radiologjisë pranë QKUK-së, kundër gazetës Koha Ditore, ankesën e Shkëlzen Berishës kundër gazetës Zëri dhe ankesën e Klubit për Politikë të Jashtme kundër gazetës Bota sot.
Bordi i Këshillit shqyrtoi ankesën e Shkëlzen Berishës, që ka arritur në KMSHK përmes avokatëve të autorizuar, e që ka të bëjë me gazetën Zëri të datës 16 prill 2012, ku thuhej se Shkëlzen Berisha ishte takuar me z. Vuk Hamoviç dhe z. Damir Fazliç me qëllim pengimin e projekteve të interkonjeksionit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Ankuesi kishte kërkuar të përgënjeshtrohet kjo pjesë e artikullit dhe që redaksia të kërkojë ndjesë ndaj tij. KMSHK, sipas kërkesës së ankuesit, ka shqyrtuar vetëm pjesën ku bëhet fjalë për këtë takim. Përfaqësuesi i Zërit tha se për takimin në fjalë gazeta ka burimet e veta të sigurta.
Gazeta Zëri ka botuar përgënjeshtrimin e z. Shkëlzen Berisha menjëherë të nesërmen, me paralajmërim në faqen e parë të gazetës, duke e respektuar Kreun e IV të Kodit të Etikës, E drejta për t`u përgjigjur.
KMSHK konstatoi se në rastin e gazetës Koha ditore nuk është bërë shkelje e Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ndërsa në rastin e gazetës Bota sot, KMSHK miratoi pjesërisht ankesën e Klubit për Politikë të Jashtme. Publikimi i këtij skandali nga gazeta Zëri trazoi shumë ujëra në Shqipëri. Linja e interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës, që do e çlironte Kosovën nga varësia prej energjisë serbe po mbahej peng nga disa biznesmenë serbë, të cilët kishin komunikuar edhe me birin e kryeministrit në Vjenë, aty ku po gatuhet tani çdo pazar i qeverisë. Në Tiranë Berisha deklaroi se firma fituese e tenderit kishte bërë një ofertë shumë të lartë. Por banka gjermane KFW, që financonte projektin tha se oferta ishte relativisht e lartë, por brenda normave për shkak se në një tender të tillë rëndësi primare ka kriteri teknik. Berisha këmbënguli se firma e dytë, një kompani boshnjake, duhej të fitonte, edhe pse ajo nuk plotësonte kriteret, por me shumë gjasë ishte një kompani pranë sekserëve të kryeministrit dhe birit të tij.
