Sa do ta ngrejë tavanin e votave Edi Rama?
Kryesocialisti Edi Rama, i ftuar në emisionin Prizëm të Aleksandër Furxhit në AS i përgjigj kështu pyetjes Keni shkuar derë më derë, keni qenë të vendosur si opozitë, keni qenë të frymëzuar, keni frymëzuar pasuesit tuaj, si do ta kapërceni atë që e shihni si rrezik?:
Në qoftë se në Tiranë, me një vjedhje industriale të gjithë koalicionit [qeveritar] kundër nesh dhe kundër meje personalisht, [rezultati] ngeci tek 10 votat e fundit, në zgjedhjet e vitit 2013, do të jenë mijëra e dhjetëra-mijëra më shumë se 10 vota.
Në vijim të intervistës së mbrëmshme, Rama bëri sot thirrje në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së për një lëvizje të re, në funksion të arritjes së objektivit të mësipërm. Është koha për ti dhënë jetë një lëvizjeje të re në të gjithë territorin për të folur sy më sy me njerëzit. Kjo lëvizje duhet të nisë menjëherë, tanimë që në krye të axhendës sonë politike pragu i vitit të fundit të këtij mandati ka vendosur për ne zgjedhjet e ardhme dhe fitoren e tyre për të jetësuar programin tonë Për një Rilindje Shqiptare, tha Rama.
Me fjalë të tjera, Rama ka kuptuar se duhet ngritur edhe më tej tavani i votave opozitare, për të dalë mbi KQZ-në e Berishës. Në vitin 2009, koalicioni i udhëhequr prej tij mori rreth 120 mijë vota më shumë se sa pothuaj i njëjti koalicion kishte marrë në vitin 2005, atëherë i udhëhequr nga Nano. Por kjo rritje e tavanit të votave nuk i siguroi fitoren në KQZ.
Në vitin 2011, Rama mori në Tiranë rreth 27 mijë vota më shumë se ai vetë kishte marrë në vitin 2007, kur kishte pasur dhe ndihmën e votave të LSI-së, të cilën vjet e pati kundër. Por kjo rritje e tavanit të votave përsëri nuk i siguroi fitoren në KQZ.
http://respublica.al/artikuj/2012/6/26/sa-do-ta-ngreje-tavanin-e-votave-edi-rama
