Berisha: Do liberalizojmë vizat me SHBA-të!
Nga Renato Dauti
Partia Demokratike ka çelur zyrtarisht fushatën elektorale në qytetin e Durrësit. I pranishëm gjatë prezantimit të kandidatëve të Partisë Demokratike për këtë qark, kryeministri Berisha ka bërë një premtim të madh. Ai ka deklarua nga Durrësi se me reformat e ardhshme do synojë liberalizimin e vizave me SHBA-në ndërsa akuzoi opozitën se ka bllokuar integrimin e vendit.
Deklarata
Edhe në Durrës kryeministri Berisha ka vijuar akuzat ndaj opozitës. Si ka mundësi që kjo parti në 20 vite nuk ka qoftë një firmë të vetme drejt botës perëndimore. Të vish në Durrës dhe të betohesh për Evropën në një kohë kur në Tiranë bllokon votimin e tre ligjeve është hipokrizi. Ata janë alternativa e trillimit, ndaj dhe ne të ecim përpara. Me reforma të thella hoqëm vizat për Evropën, me reforma të thella do heqim vizat me SHBA dhe ju do lëvizni të lirë në mbarë botën. Ne na besojnë, jemi seriozë, u besojnë idealeve dhe punës suaj. Asgjë sdo të pengojë rrugën tonë drejt integrimit, punësimit dhe mirëqenies, deklaroi kryeministri Berisha.
Ekonomia
Duke u ndalur tek ekonomia kreu i qeverisë, tha se ekonomia shqiptare arriti ti rezistonte krizës botërore falë reformave të ndërmarra nga qeveria. Ne shkojmë në këto zgjedhje me programin më të shkëlqyer më të sigurt, konkret për punësimin e qytetarëve shqiptarë. Detyrat e ekonomisë evropiane dhe botërore kanë qenë më me tallaze se kurrë, por ekonomia shqiptare, në vitet më të vështira, ia doli me sukses të ruajë rritjen e saj. Ia doli të krijojë vende pune dhe të japë ulje të papunësisë. Këto vite në kulmin e një krize, besimi ynë tek liritë tuaja, iniciativa juaj e lirë ka bërë që Shqipëria të marrë më shumë se kurrë investime të huaja, të krijojë vende pune, deklaroi kryeministri Berisha.
Vizat
Duke vijuar akuzat ndaj opozitës, kryeministri premtoi liberalizim vizash me SHBA-të. Ne bëmë gjithçka për NATO, kur të nesërmen ata bënë protestë me portretet e Enver Hoxhës. Heqja e vizave ishte ëndrra më e bukur e mbarë shqiptarëve. Ata bënë gjithçka që vetëm vizat të mos i marrim. Tre ligje përsëri, në tetor të vitit të kaluar, KE votoi për të rekomanduar Shqipërinë për statusin e vendit kandidat. Kërkoi të votohen tre ligje. Z.Rama, në zbatim të testamentit të etërve të tij i mban peng 250 ditë dhe nuk i voton. Ne hoqëm vizat për Europën, por me reforma të thella do heqim vizat edhe për SHBA-të! tha Berisha.
Kandidatët
Listën e kandidatëve të Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit e kryeson ministri i Drejtësisë Eduard Halimi. Ndërkohë që pas tij renditen deputeti Genc Strazimiri dhe Albana Vokshi. Qarku i Durrësit ka 13 mandate deputetësh. Në zgjedhjet e 2009-së PD arriti të merrte 7 mandate, 5 i mori PS dhe 1 mandat LSI.
Kandidatët e PD-së për qarkun e Durrësit
1. EDUARD HALIMI
2. GENT STRAZIMIRI
3. ALBANA VOKSHI
4. IGLI CARA
5. OERD BYLYKBASHI
6. OSMAN METALLA
7. VULLNET TOPALLI
8. LUFTER XHUVELI
9. KSEANELA MUDERIZI
10. ZAMIR RAMADANI
11. MERITA BAKIU
12. ARJAN DEDAJ
13. MIRLINDA ÇEKA
Berisha: Vangjush Dako betonizoi Durrësin
Gjatë vizitës së tij në Durrës, kryeministri Berisha zhvilloi një bashkëbisedim me peshkatarët ku dhe përuroi nisjen e punimeve për ndërtimin e portit të ri të peshkimit në këtë qytet. Duke vlerësuar këtë investim të Bankës Islamike, kryeministri Berisha akuzoi kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako se ka bllokuar për vite të tëra ndërtimin e këtij porti të ri peshkimi. Një investim prej 14 milion eurosh që do të krijojë për flotën e peshkimit të Durrësit kushtet më normalet ë veprimtarisë tuaj. Kryetari i Bashkisë duhet të kërkojë të falur, se ua them haptazi ju se nuk do ishim takuar për të inauguruar fillimin e punimeve por përfundimin dhe ai e ka bllokuar në mënyrë të çuditshme dhe të paarsyeshme. Por, me ato motive që e bllokoi e zhbllokoi, tha kryeministri Berisha. Në vijim, kreu i qeverisë deklaroi se Këshilli Rregullator i Territorit ka miratuar edhe planin e rregullimit të Durrësit, një plan ky i cili sipas kryeministrit do të shpëtojë Durrësin nga betonimi i Vangjush Dakos. Bashkë me këtë port u bë plani i rregullimit të Durrësit, plan i shkëlqyer aq sa ka mbetur nga betoni i Vangjushit, plani është hartuar nga një kompani shumë serioze. Kryetari na u kundërvu shumë se me ketë projekt kishim dhe tregun e peshkut, por ky e a mendjen vetëm tek betoni, u shpreh kryeministri Berisha.