E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Tradhtari Kadeli u ktheu kurrizin lezhjanëve për një karrige

rama ne lezheNe nuk e hoqëm Enver Hoxhën për të mbajtur në kurriz 25 vjet një mikro Enver
Lideri i opozitës Edi Rama ka prezantuar dje kandidatët për deputetë të qarkut të Lezhës. Dhe ashtu siç pritej, kreu i PS-së ka hedhur akuza të rënda ndaj ish deputetit socialist Gjovalin Kadeli që ka kaluar në kampin e djathtë. Duke folur para të pranishmëve, Rama e cilësoi Kadelin si tradhtar i cili u ktheu kurrizin qytetarëve të Lezhës për një karrige personale.
Akuza
Dua të shpreh këtu në këtë shesh të gjithë përbuzjen time për një tradhtar si Gjovalin Kadeli, i cili katër vjet më parë erdhi në Parlamentin e Shqipërisë me votat e socialistëve dhe progresistëve të Lezhës dhe sot, katër vjet më vonë, u ka kthyer atyre kurrizin vetëm për një karrige druri me katër këmbë, që është turpi i përhershëm i tij dhe i emrit të tij në këtë qytet, akuzoi Rama.
Situata në vend
Në vijim, kreu i PS-së bëri një analizë të shkurtër gjendjes në vend, ndërsa premtoi ndryshim të situatës gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste. Duke u ndalur tek sistemi i shëndetësisë në vend, Rama premtoi një ndryshim rrënjësor të tij. Çdo njeri dhe çdo familje që ka dikë të sëmurë në shtëpi dhe që është i papunë duhet të votojë Partinë Socialiste dhe ti japë fund kësaj epoke poshtërimi, ku PD dhe doktori në krye të saj u thonë shqiptarëve po nuk patët lekë më mirë mos u sëmurni fare, se po u sëmurët duhet të gjeni lekët dhe po nuk i gjetët lekët nuk kemi çfarë iu bëjmë, vdisni. Ndërkohë që Partia Socialiste me votën tuaj do ta ndryshojë këtë sistem. Do të ofrojë shërbim shëndetësor falas për të gjithë shqiptarët, njësoj, janë në punë apo janë të papunë, janë në qytet apo janë në fshat, tha Rama.
Akuzat ndaj Berishës
Kreu i PS-së nuk i ka kursyer as akuzat për kryeministrin Berisha. Ne nuk e hoqëm Enver Hoxhën dhe regjimin tij për të mbajtur në kurriz 25 vjet një mikro Enver Hoxha. Ne u ndamë nga ai regjim për të pasur liri, për të pasur mirëqenie, për të pasur drejtësi sociale, për të qenë të gjithë të barabartë para ligjit dhe njëkohësisht për të pasur të gjithë akses të barabartë në shërbime, deklaroi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Kadeli: Rama do ta marrë përgjigjen në 23 qershor
Deputeti i larguar nga Partia Socialiste, Gjovalin Kadeli ka reaguar pas akuzave të bëra nga kryetari i PS-së, Edi Rama gjatë prezantimit të kandidatëve për deputet në qarkun e Lezhës. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat Kadeli tha se Rama do ta marrë përgjigjen në 23 qershor. Ju deshën tre ditë për montazhin e kronikes pasi aktiviteti është bërë më parë. Rama përgjigjen do ta marrë më datë 23 qershor, shprehet Kadeli.

Majko: Oh sa mirë me qenë tradhtar!

Deputeti socialist Pandeli Majko ka komentuar me ironi nisjen e fushatës elektorale të Partisë Demokratike. Në një postim në rrjetin social Facebook, Majko shprehet se fushata e PD-së është turpëruese, Oh sa mirë me qenë tradhëtarë. Oh sa mirë me qenë tradhëtar!Fushata elektorale që sapo ka filluar e ka të shkruar në ballë këtë fjali turpëruese. Ky është shembulli më denigrues për mjerimin e politikës në këto ditë me shkëlqim publicitar. Paturpësia është kthyer në një pikë vajguri në pjatën e supës së premtimeve të zgjedhjeve të 23 qershorit. Respekt për të gjithë miqtë dhe kolegët e djathtë dhe të majtë që i qëndrojnë besnikë vetvetes dhe historisë nga vinë, shkruan Majko.

Kandidatët e PS-së në qarkun e Lezhës

1. MIMI KODHELI

2. ARMANDO PRENGA

3. ARBEN NDOKA

4. NDREC DEDAJ

5. MEJREME DELISHI

6. EDUART NDOCAJ

7. KASTRIOT PIROLI

8. MIRELA NELI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›