Berisha: Do marr çdo nismë për rikthimin e PD në piedestalin që meriton!

Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralamëruar marrjen e nismave ligjore për sikurse është shprehur rikthimin e PD në piedestalin që meriton. Deklaratën e tij zoti Berisha e bëri mes përkrahësve entuziastë të tij jashtë sallës së parlamentit, ndërsa një ditë më parë u përjashtua prej grupit parlamentar nga kreu i PD Lulzim Basha. “Do marr çdo nismë ligjore dhe statutore brenda PD për rikthimin e saj në piedestalin që meriton. Jashtë çdo lloj diskutimi, Jam anëtar i grupit parlamentar të PD” tha ai.
Zoti Berisha sulmoi një bashkëpunim të mundshëm sipas tij mes zotit Basha dhe zotit Rama. “Vendimi, kompromisi Basha-Rama është nul, nuk ka asnjë mbështetje ligjore përveç fëlliqësisë morale të pazareve prapa shpine ndaj një force politike që qëndron fuqishëm në pozicionin e saj si opozitë” tha ai.
I pyetur nëse ai është apo jo më i mirëpritur në selinë e PD, partisë që e themeloi, zoti Berisha tha:”Në çdo kohë mund të hyj në seli dhe të jeni të sigurt se do të jetë shumë e afërt dita kur PD të rifitojë të gjithë forcën, vendosmërinë, legjitimitetin për të shporrur një klikë sunduese të bazuar mbi krimin, drogën, dhunimin e votës së qytetarëve shqiptarë dhe pazaret e fëlliqura me ata të cilët e shndërrojnë PD në fasadë opozitë”.