E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do mbledhim çdo javë Parlamentin për të votuar 3 ligjet

BERAT – Miratimi i 3 ligjeve në Kuvend tashmë ka ngjallur akuza të ndërsjella mes palëve për bllokimin e tyre. Ndërsa mazhoranca akuzon opozitën se po vijon bllokimin e statusit kandidat, PS pretendon se kryeministri Berisha nuk pranon kompromisin e ofruar nga opozita që 3 ligjet të miratohen përpara zgjedhjeve dhe të hyjnë në fuqi në muajin shtator.

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e përurimit të rikonstruksionit të rrugës Ura Vajgurore – Pashalli – Mbistrovicë në Berat, kryeministri Berisha bëri të ditur se Kuvendi do të vijojë të mblidhet çdo javë për votimin e 3 ligjeve të konsideruara si çelësi për marrjen e statusit kandidat për në BE.

“Duke bllokuar statusin dëmtohet çdo shqiptar, dëmtohet qeveria, dëmtohet opozita dëmtohet Shqipëria. Të njëjtën gjë bënë me vizat, por nuk ja dolën. Këto ditë Rama me zëdhënësit e tij bëri thirrje të votojmë ligjet, ndonëse ne kemi iniciuar referendumin. E përshëndetëm faktin që pas 206 ditëve bllokim, Rama u kujtua se po kryente një vepër të padenjë. E hëna ishte në parlament dje shkuam me kënaqësi. Ju e patë, bënë ritin e zakonshëm sa erdhëm tek ligjet u ngritën njëri pas tjetrit dhe boshatisën parlamentin. Do mbledhim çdo javë parlamentin, sytë e shqiptarëve janë të drejtuar në atë sallë dhe shqiptarët presin që ne të votojmë ligjet.”- u shpreh kryeministri Berisha. 

Kryeministri kërkoi votën e qytetarëve të Beratit, në mënyrë që siç tha ai, PD-ja të vijojë reformat për të shndërruar çdo potencial të vendit në mirëqënie për qytetarët.

“Ju ftoj ju ta shndërrojmë këtë fushatë në betejën tonë më të civilizuar. Unë kam nevojë për mbështetjen tuaj. Të ecim të sigurt drejt 23 qershorit, datës së madhe të demokracisë. Të votojmë për PD, Koalicionin për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim si e ardhmja jonë më e mirë, më e sigurt, si e ardhmja më e shkëlqyer europiane. Ju ftoj të vazhdojmë të rendim pas çdo vote, pas çdo zemre, të bëjmë gjithçka që më 23 qershor të firmosim një fitore të thellë, të shkëlqyer të merituar për katër vitet që vijnë, për veten, për fëmijët tanë, për Shqipërinë”- u shpreh kryeministri.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Ftesa për 3 ligjet, Meta: Duhet kompromis, Berisha përgjigjet me referendum

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›