Bosnja kërkon ekstradimin e Kelmendit, superbosit të drogës në Ballkan
Sarajevë- I arrestuar një ditë më parë në Kosovë, superbosi i drogës në Ballkan Naser Kelmendi, Prokuroria e Bosnjë Hercegovinës ka bërë të ditur se se do t’i dërgojë Ministrisë së drejtësisë së Bosnjë Hercegovinës kërkesë zyrtare për ekstradimin e tij.
Bosnjë Hercegovina do të kërkojë ekstradimin e Kelmendit në kuadër të hetimeve për krim të organizuar, si dhe për veprat penale të tregtisë së drogës dhe vrasje.
Procedura pason informimin zyrtar në Prokurorinë e Bosnjë Hercegovinës nga ana e Interpolit për arrestimin e Naser Kelmendit në Kosovë.
“Për shkak të urgjencës së veprimit dhe masave të paraburgimit të caktuara në Kosovë, ky informacion do t’u dorëzohet organeve kompetente të drejtësisë dhe policisë në Kosovë”,- thuhet në deklaratën e lëshuar nga Prokuroria e Bosnjë Hercegovinës.
Ndërkohë nuk mungojnë zërat që thonë se shtetësia kosovare mund të përbëjë pengesë për ekstradimin e Kelmendit, pasi ajo nuk e lejon një gjë të tillë.