Mirditë, shpërthime nga djegia e pyjeve
Në mes të pyjeve mendohet se ndodhet një bazë e vjetër ushtrie dhe shpërthimet e saj dëgjohen në të gjithë vendin
MIRDITË- Përhapja pandalshëm e zjarreve të rënë në pyjet e Rubikut që prej një jave, ka bërë që dje të dëgjohen shpërthime të fuqishme duke vënë në rrezik jetën e atyre që po merren me izolimin e flakëve. Kështu që në orët e para të mëngjesit, ndërsa forcat xheniere të ushtrisë dhe ato të shërbimit pyjor, po merreshin me krijimin e pengesave për flakët e zjarrit, janë gjendur përballë shpërthimeve të fuqishme të municioneve luftarake. Lëndët plasëse kanë qenë të vendosura afër dy ndërtesave të braktisura prej vitesh katër km larg qytetit të Rubikut, pikërisht në pyjet të cilat tashmë janë përfshirë nga flakët.
Zjarri pasi ka përshkuar masivin pyjor i është afruar atyre shtëpive duke përshkuar gjithçka që nga kopshtet, pemët e atyshme e deri vetë shtëpitë, por pikërisht në këtë moment zjarri me sa duket ka aktivizuar municionet luftarake të vëna aty prej vitesh. Sipas dëshmitarëve okularë, pos shpërthimeve të vogla që tregonin për municion të kalibrit të vogël, në momente të caktuara, ka patur dhe shpërthime të fuqishme, çfarë ka lënë të kuptohet se aty ka patur dhe municion të kalibrit të lartë, si fishekë armatimi të rëndë apo lëndë të tjera shpërthyese.
Duke qenë shtëpi të braktisura prej vitesh, ky vend i fshehur mes pyjesh, me sa duket, ka shërbyer si një vend ideal për të fshehur municione të shumta që nga viti 1997, dhe vetëm zjarri i rënë e ka zbuluar këtë bazë militare.
Shpërthimi i municionit të shumtë i ka dhënë hov zjarrit të rënë por dhe ka rrezikuar jetën e ushtarëve të xhenios që po punonin aty, ndaj është bërë tërheqje nga ato pozicione, pasi nga burime jozyrtare, bëhet fjalë se zona mund të ketë municione të shumta. Kjo ka bërë që policia të kërkojë persona që mund të jenë marrë me këto dërgesa lëndësh luftarake, dhe bëhet fjalë edhe për të shoqëruar që po merren në pyetje.
Bëhet e ditur se është njoftuar dhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, të cilit i është bërë kërkesë për një hetim special për këto zjarrvënie zinxhir që po ndodhin në pyjet e Mirditës, ndërsa është lajmëruar një takim i strukturave të larta policore për ditën e nesërme
Gjithashtu policia vendore ka shoqëruar dhe persona me dyshimin se kanë gisht në vënien e qëllimshme të zjarrit.
Dyshimi shtohet akoma më tepër pasi gjithnjë po shihen vatra të reja të vëna sapo një zonë vihet nën kontroll përgjatë gjithë kurrizit malor Kulme-Derven e më tej për në Lurth e malet e Rubikut, por dhe në disa zona të tjera dushkore. Kjo,sipas drejtuesve të pushtetit vendor në Mirditë, e bën më imediate ndërhyrjen policore në hetimin e kësaj zjarrvënie të pazakontë që po ngjet në pyjet e Mirditës, zjarre që e kanë futur në një rreth flakësh të pamëshirshme zonën qendrore të saj.