E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia: Shqipëria, larg liberalizimit të vizave

Ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, deklaron se vendi ynë ka shumë reforma për të bërë për liberalizimin e vizave


Italia i ka dhënë një shuplakë të fortë "Qeverisë së Integrimit", duke deklaruar dje se Shqipëria është ende shumë larg liberalizimit të vizave, për të mos folur më pas për integrimin evropian.


Ka qenë ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni ai që ka lëshuar deklaratën e fortë, që tregon se shteti shqiptar ende nuk ka plotësuar as kushtet më minimale për liberalizimin e vizave, një gjë që tashmë e ka edhe Maqedonia dhe Serbia, por jo Shqipëria.


I pranishëm në Brdo të Sllovenisë, në Konferencën e nëntë të ministrave mbi emigracionin e paligjshëm, kriminalitetin e organizuar, terrorizmin dhe korrupsionin, ministri italian tha se Shqipëria bashkë me Bosnje Hercegovinën janë dy shtete të Ballkanit që duhet të bëjnë reforma të mëtejshme për të përfituar nga procesi i liberalizimit të plotë të vizave.


Gjatë fjalës së tij, Maroni theksoi se liberalizimi i vizave është një nga mjetet e luftës kundër hyrjes së emigrantëve të paligjshëm nga vendet ballkanike.


Sipas ministrit Maroni, për momentin, Maqedonia është në rrugë të mbarë, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi po bëjnë reformat e duhura për arritjen e standardeve, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja janë ende larg. Megjithatë, Italia është e gatshme, shtoi ai, që të ndjekë Shqipërinë në mënyrë që nga një janari i vitit 2010 ajo të përshtatet me normat që duhen për liberalizimin e vizave.


"Italia do të mbështesë Shqipërinë në procesin e liberalizimit të vizave, duke ofruar asistencë për normat e reja që do të vendosen nga janari i vitit 2010",- tha ai.


Emigracioni ilegal nga vendet e Ballkanit, por edhe nga shtete të Afrikës Veriore është shoqëruar me probleme në shtetin përtej Adriatikut. Shpeshherë, shtete të Bashkimit Evropian, por edhe organizata të mbrojtjes së të drejtave të njeriut kanë akuzuar Italinë se nuk ka marrë masat e duhura për parandalimin e emigracionit të paligjshëm apo që nuk krijon kushtet e përshtatshme për trajtimin e klandestinëve.


Shpeshherë, brigjet italiane janë bërë dëshmitare të tragjedive të mëdha nga emigracioni ilegal, ku dhjetëra klandestinë nga vende të Afrikës Veriore, por edhe nga vendet e Ballkanit kanë humbur jetën si pasojë e mbytjes në det.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›