E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do ndërtojmë 8 shkolla të reja në Afganistan

Shqipëria nisi misionin e parë paqeruajtës në Heart, si vend anëtar i NATO-s


TIRANË - Shqipëria nisi misionin e parë paqeruajtës në Afganistan, si vend anëtar i NATO-s, ndërsa deri më sot ka kontribuuar si aspirante për anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut.


Kontigjenti shtesë me 110 trupa, bën pjesë në misionin ISAF dhe niset në prag të zgjedhjeve presidenciale në Afganistan, të cilat mbahen më 20 gusht dhe kur situata e sigurisë është shumë problematike, sidomos ditët e fundit. "Misioni juaj, sa fisnik aq edhe i vështirë është.


Por, është një mision i madh, sepse synon që në kuadrin e Aleancës së Atlantiku të Veriut, të japim edhe ne kontributin për paqen, lirinë dhe demokracinë në Afganistan",- tha Kryeministri Berisha në ceremoninë e përcjelljes që u organizua dje në mbrëmje.


Për shefin e qeverisë shqiptare, talebanët janë një rrezik madhor, jo vetëm për paqen e kombit afgan, por edhe për paqen botërore në tërësi. "Dhe nuk ka mënyrë më eficente për të luftuar terrorizimin, në mënyrë që ai të mos vijë dhe në vendin e shtëpinë tënde, sesa për ta shtypur atë në djepin e tij",- theksoi ai.


Kompania shqiptare që niset sot në Heart të Afganistanit, ka një mision 6-mujor, ndërsa prej vitesh janë ndërruar disa misione të komandove shqiptare në një nga vendet më problematike të botës për çështjen e sigurisë.


"Ju shkoni atje edhe për mbushjen e një detyrimi të ri që i lind Shqipërisë pas anëtarësimit në Atlantikun e Veriut",- theksoi Berisha. Ai tha se së shpejti Shqipëria do të nisë edhe një grup mjekësor prej 20 punonjësish, mjekë dhe infermierë.


Po ashtu, në buxhetin e qeverisë së Tiranës do të parashikohet një fond për të ndërtuar 8 shkolla të reja në Afganistan. "Shqipëria do të nisë edhe një grup mjekësor prej 20 mjekësh dhe infermierësh, si dhe do të parashikojë në buxhetin e këtij viti, ndërtimin e 8 shkollave të reja në këtë vend.


Ashtu si kanë ndihmuar Shqipërinë me miliarda euro kombet dhe vendet mike, edhe ne do të ndihmojmë ata që përpiqen të ndërtojnë demokracinë, paqen dhe stabilitetin",- tha ai. Deri më sot, 1920 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë shqiptarë kanë marrë pjesë në misionet paqeruajtëse në Bosnjë, Çad, Afganistan, Irak e Gjeorgji.

-------------------------------------------------------------

Policët e vrarë, qeveria: 5 mln lekë për secilën familje

TIRANË - Këshilli i Ministrave do të japë një ndihmë financiare prej 5 milionë lekësh, për secilën nga familjet e 4 policëve të vrarë në krye të detyrës. Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, në mbledhjen jashtë radhe (7 gusht), Këshilli i Ministrave vendosi për dhënien e ndihmës financiare, prej 5 milionë lekësh, për secilën nga familjet e të ndjerëve Fatos Xhani, Kastriot Feskja, Saimir Duçkollari dhe Altin Dizdari, të cilët u vranë në krye të detyrës. Sipas vendimit të qeverisë, "ky fond do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit".


Po dje, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, John Withers, i dërgoi Kryeministrit Sali Berisha një mesazh ngushëllimi për humbjen e jetës në detyrë të 4 oficerëve të Policisë së Shtetit. Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, në mesazhin e tij, ambasadori Withers shpreh keqardhjen për ngjarjen tragjike të së premtes në Durrës, ku ranë në krye të detyrës dhe në shërbim të vendit, oficerët e policisë, Fatos Xhani, Saimir Duçkollari, Kastriot Feskaj dhe Altin Dizdari. "Kolegët e mi dhe unë ju shprehim ngushëllimet më të thella Juve dhe familjeve të këtyre katër oficerëve trima, të cilët gjatë karrierës së tyre mbrojtën trimërisht popullin shqiptar",- thuhet në mesazhin e ambasadorit Withers.


Katër punonjësit e Policisë së Shtetit ranë në krye të detyrës më datën 7 gusht, në përpjekje për kapjen e të shumëkërkuarit Dritan Dajti. Me vendim të veçantë, Këshilli i Ministrave i shpalli ata Dëshmorë të Atdheut.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›