E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër - Hani i Hotit, banorët e Kastratit, kundër çmimit të tokës

DËMSHPËRBLIMI/ Kryekomunari Vneshti ka kërkuar të rishikohet çmimi 2160 lekë për metër katror


SHKODËR - Dëmshpërblimi për tokën truall me 2160 lekë për metër katror është konsideruar si e papranueshme nga banorët e komunës së Kastratit në diskutimin për çështjen e shpronësimeve për rrugën Shkodër-Hani i Hotit.


Pikërisht ky problem ka mbledhur në zyrën e prefektit të qarkut të Shkodrës specialistë të drejtorisë së shpronësimeve pranë Drejtorisë së Rrugëve në Ministrinë e Transporteve, por dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor në qarkun e Shkodrës.


Ka qenë fillimisht prefekti i qarkut të Shkodrës, Maxhid Cungu, ai i cili ka vlerësuar këtë segment, që do të kthehet në urën lidhëse të Shqipërisë me vendet e rajonit të Ballkanit. Ndërkohë, kreu i Komunës së Kastratit, Gjovalin Vneshtaj, në emër të banorëve të zonës i ka kërkuar përfaqësuesve të ministrisë që të rishikohet çmimi i shpronësimit të tokës për rrugën Shkodër-Hani i Hotit.


Sipas Vneshtajt, çmimi i ofruar prej 2160 lekësh të vjetër metri katror, asnjë nga banorët nuk do të pranojë që të kalojë ky aks rrugor në zonën e Kastratit, e parashkuar të përfshijë rreth 13 km. Interesit të shfaqur nga ana e kryekomunarit të Komunës së Kastatit nuk iu përgjigj asnjë nga përfaqësuesit e prefekturës duke lënë të hapur në këtë mënyrë mundësine e bllokimit të punimeve ende pa filluar të aksit Shkodër-Hani i Hotit.


Ndërkohë, një tjetër pikë të cilën e preku kreu i komunës, Vneshti, ka qenë dhe largësia e shtëpive të banimit 7 metër e gjysmë nga autostrada. Sipas tij, kjo largësi është absurde duke pasur parasysh pikërisht fluksin të cilin pritet të ketë ky aks rrugor, duke lënë të hapur mundësinë e aksidenteve.


Faktikisht, historia e shpronësimeve në akset e rëndësishme në Shkodër nuk është "rozë".


Prej vitesh problemet e shpronësimeve kanë shoqëruar akset kryesore në Shkodër, ku pas ecejakeve për shpronësimin e shtëpive në unazën e Shkodrës, rruga "Isuf Sokoli" ka qenë një tjetër segment i cili ka pasur debate përsa i takon çmimit të truallit të tokës për shpronësim, megjithatë siç duket edhe segmenti Shkodër-Hani i Hotit, nuk do të ngelet pas përsa i takon këtij problemi, duke pasur parasysh se mësohet se çmimi për shpronësimin e truallit është 2160 lekë të vjetër metri katror në komunën e Kastratit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›