Dajti refuzon marrjen në pyetje "Dua avokatin Ardian Leka"
Leka nuk ndodhet në Tiranë dhe thotë që nuk ka ende një kërkesë zyrtare nga i pandehuri
TIRANË- Dritan Dajti, i shtruar në njërën nga dhomat e katit të dytë të Spitalit të Burgut ku po mjekohet për plumbat e marrë në trup, refuzoi të merret në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda duke kërkuar avokatin e tij të dikurshëm Ardian Leka të jetë i pranishëm.
Ky lajm konfirmohet nga zyrtarët e institucionit të akuzës, të cilët shtuan se i arrestuari nuk ka pranuar të japë shpjegime për ngjarjen pa praninë e avokatit.
"Menjëherë pas ngjarjes dhe pasi është stabilizuar gjendja e tij shëndetësore, hetuesit dhe prokurorët e çështjes kanë shkuar në Spitalin e Burgut ku ndodhet i shtruar i arrestuari Dritan Dajti për ta marrë në pyetje.
Por, në momentin që i është komunikuar rregulli ligjor që ka të drejtë të mos përgjigjet pa praninë e avokatit, Dajti ka shfrytëzuar më së miri këtë mundësi që ia jep ligji, duke u shprehur se "nuk dua të flas dhe as të pyetem pa praninë e avokatit Ardian Leka",-thuhet nga burimet e prokurorisë.
Pas kësaj kërkese të Dajtit, prokurorët e çështjes Ardian Nezha e Eugen Beçi, duke tentuar të zbardhin sa më shpejt ngjarjen dhe versionin e "vrasësit" të katër agjentëve të policisë, kanë kontaktuar me avokatin Leka, i cili i ka vënë në dijeni hetuesit se ndodhet me pushime.
"Unë nuk jam ftuar apo njoftuar ende nga familjarët e ish-klientit tim Dritan Dajti në rast se do kontaktohet prej tyre do të shoh ç'mund të bëj, por, për momentin ndodhem me pushime jashtë Tiranës. Kur të kthehem do të shoh nëse kam një kërkesë nga Dajti apo familja e tij, do ta shqyrtoj dhe pastaj do të vendos që ta mbroj apo jo",-mësohet t'i ketë thënë zyrtarëve të Prokurorisë avokati Ardian Leka.
Mos pranimi i marrjes në pyetje nga vetë Dritan Dajti dhe Ergest Xhoxhi ka bërë që prokurorët e çështjes të mbesin pa versionin zyrtar të dy të arrestuarve mbi mesditën e së premtes më 7 gusht 2009 në Durrës.
Dajti nuk pranon në takimin me prokurorët avokatin Ponari
Ndërkohë, vetë Dajti edhe pse ka pranuar që Gjykata gjatë seancës gjyqësore të vleftësimit të arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë, t'i caktojë kryesisht avokatin Remzi Ponari si përfaqësues ligjor të interesave të tij, Dajti këtë të fundit nuk e ka pranuar që të asistojë në marrjen e tij në pyetje nga prokuroria.
Ergest Xhoxhi nuk pranon të firmosë deponimin që bëri vetë
Ndërsa, gjatë kësaj kohe, hetuesit kanë marrë shpjegimet e të arrestuarit tjetër, Ergest Xhoxhi, por pas "rrëfimit" të tij për katër orë edhe ky i arrestuar në fund të deklarimit nuk ka pranuar të firmosë procesverbalin e dëshmisë së tij.
Dajti, gjendja shëndetësore normale, njërin plumb e ka ende në trup
Ndërkaq, burimet zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të kontaktuar nga "Shekulli" për gjendjen shëndetësore të të arrestuarit Dritan Dajti që ndodhet në dhomat e Spitalit të Burgut, janë shprehur se "gjendja shëndetësore e tij është normalizuar".
"Shtetasi i arrestuar Dritan Dajti, është vendosur në një dhomë të vetme dhe po trajtohet me medikamentet e rekomanduara nga mjekët për plagët që ka.
Gjendja e tij është stabilizuar, pasi i është hequr sonda e ushqimit dhe aparatura e pastrimit të gjakut nga mushkëria",-thanë burimet pranë këtij institucioni, duke shtuar se "dhimbje ka vetëm në pjesën e majtë të legenit para ku ende nuk i është hequr plumbi i plagosjes".
Sipas akuzës, i dënuari me 25 vjet burg për vrasje dhe arratisje, Dajti, mesditën e së premtes ka marrë tre plumba në trup, një në parakrah në afërsi të bërrylit, një poshtë kraharorit mes brinjëve që i ka prekur mushkërinë dhe një në këmbën e majtë, konkretisht në legenin para. Plumbin në zonën e legenit e ka ende në trup.
Armët e agjentëve dhe Dajtit, ende në ekspertizë
TIRANË - Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, ka dërguar pranë laboratorit të Institutit të Policisë Shkencore në Ministrinë e Brendshme, armët e agjentëve të përdorura në ditën e arrestimit të Dritan Dajtit dhe dy pistoletat e këtij të fundit, nga të cilat mbetën të vrarë katër agjentët dhe "ushtari" i tij besnik, Ledion Mara.
Sipas burimeve zyrtare pranë institucionit të akuzës, konfirmohet se armët e sekuestruara në vendin e ngjarjes që janë përdorur nga i dënuari me 25 vjet burg Dritan Dajti për vrasjen e agjentëve të policisë, janë dërguar për ekzaminim balistik pranë këtij laboratori. Ku përveç ekzaminimit të gëzhojave të gjetura dhe plumbave që ndodheshin në trupat e agjentëve të vrarë, është kërkuar edhe krahasueshmëria e gëzhojave të gjetura në ngjarje të ndryshme, ku është dyshuar se Dajti ka qenë protagonist.
"Dy pistoletat, njëra "Glock" dhe tjetra "Revolver" që janë përdorur nga Dritan Dajti ditën e 7 gushtit, janë dërguar në laborator për ekzaminim, për të bërë ndër të tjera edhe krahasueshmërinë e gëzhojave të gjetura në ngjarje të ndryshme, ku janë ekzekutuar persona të njohur të biznesit apo rivalë të tij",-thanë burimet. Gjithashtu, prokuroria ka dërguar për ekzaminim balistik dhe për gjendjen e tyre funksionale armët personale të agjentëve që kanë marrë pjesë ditën e 7 gushtit në operacionin e arrestimit të Dritan Dajtit dhe shoqëruesve të tij.
Në ekspertizë edhe "kallashi që nuk shkrepi"
"Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas marrjes në pyetje të 12 agjentëve të Njësisë së Operacioneve Speciale pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të cilët kanë marrë pjesë në operacionin e arrestimit të Dritan Dajtit, ka kërkuar nga këta të fundit të dorëzojnë armët e përdorura mesditën e 7 gushtit në Durrës.
12 agjentët e policisë, ditën e ngjarjes kishin në përdorim 9 pistoleta të tipit "Bereta", dy prej agjentëve me automatik të tipit "Tomson" dhe njëri me automatik "Kallashnikov".
Të gjithë këto armët janë dërguar në laboratorin e Ministrisë së Brendshme për ekzaminim, për të nxjerrë edhe armët e cilit agjent kanë plagosur Dajtin dhe cila nga këto armë ka shfaqur problemin e bllokimit. Pasi mendohet se arma e tipit "Kallashnikov" është bllokuar duke mos shkrepur në drejtim të Dajtit që po qëllonte oficerët një nga një.
Kush është gjyqtarja Marsela BALILI
Gjyqtarja Marsela Balili, do jetë gjyqtarja që do ndjekë gjithë fazën hetimore të procesit ndaj Dritan Dajtit.
Znj.Balili e lindur në Vlorë, por me banim në Tiranë, është gjyqtare e dalë nga dyert e Shkollës së Magjistraturës që nga viti 1999. Me mbarimin e shkollës është emëruar gjyqtare.
Fillimisht, për pesë vite ka punuar pranë Gjykatës së Rrethit Vlorë, ku njihet për vendimin e dënimit të disa shtetasve nga Himara për thirrje e urrejtje nacionale.
Më pas, që nga ngritja e Gjykatës së Krimeve të Rënda është emëruar gjyqtare pranë kësaj gjykate. Për 5 vitet e punës së saj si gjyqtare pranë kësaj gjykate, është përballur me procese të rëndësishme penale, si kryesuese dhe si anëtare e pesësheve gjykuese. Ndër dosjet më të bujshme ku ajo ka qenë kryesuese e trupit gjykues janë:
- Ajo e grupit të Nikolin Cakos, të njohur ndryshe si grupi i "Go Ëest"-it, që falsifikonin pasaporta dhe viza të 24 shteteve të botës;
- Vijon procesin gjyqësor të dosjes së dytë të pandehurve, të cilësuar si anëtarë të "bandës" së Lushnjës.