E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do ndihmojmë refugjatët sirianë. E dhimbshme që nuk po ndërhyhet ndaj kasapit Assad

Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se Shqipëria do të ndihmojë me ekipe mjekësore, ose edhe duke ngritur një spital fushor, refugjatë sirianë, që po largohen në drejtim të Turqisë dhe Jordanisë.

Berisha tha se është e dhimbshme që nuk po ndërhyhet në Siri.

Një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme është se dje, Kryeministri i Sirisë denoncoi regjimin gjakësor të Assad dhe u bashkua me forcat opozitare. Ky është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe një goditje shumë e rëndë, në kështjellën e këtij diktatori që e ka kohën e numëruar.

Assad është varianti i ri i Muammar Gaddafit, i cili kryen çdo ditë gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, ndaj popullit sirian. Është përfaqësuesi i një pakice që ka qeverisur me gjak e hekur, ka terrorizuar e shtypur një shumicë të tërë, në këtë vend. Është e dhimbshme kur sheh se nuk po ndërhyhet, nuk po ndërmerren ato vendime që u morën për qytetarët në Bosnje dhe i shpëtuan nga një eksterminim tërësor, e dhimbshme se nuk po ndërmerren ato vendime, me të cilat u shpëtuan qytetarët e Kosovës nga barbaritë e Sadamit të Ballkanit, nuk po ndërmerren ato veprime, të cilat shpëtuan qindra e mijëra jetë në Libi. Kjo për faktin se Rusia po bllokon Këshillin e Sigurimit, tha Berisha.

Në kampin opozitar sirian ka një vendosmëri absolute për të shembur këtë regjim mizor. Por, natyrisht, krijimi i zonave të ndalim fluturimit, i korridoreve të ndihmave humanitare do të ishin jetike për ta shpejtuar procesin e fundit që meriton ky diktator.

Një situatë e rëndë është krijuar nga përmbytjet në kampet e refugjatëve. Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet Ministrisë së Jashtme, të marrë të gjitha masat e të ofrojë ekipe mjekësore, qoftë në kufirin me Jordaninë, Turqinë apo kudo që të ketë nevojë. Ne duhet të ndihmojmë këta qytetarë refugjatë, tu ofrojmë ndihmën mjekësore, të dërgojmë ekipe infermierësh, kirurgësh, me të gjitha pajisjet, deri në hapjen e një spitali fushor, në mënyrë që tu ofrojmë solidaritetin tonë njerëzor, atë që ne mund të bëjmë.

Natyrisht, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për të marrë të gjitha vendimet për ti dhënë përgjigjen e merituar këtij kasapi të vërtetë të popullit sirian. Ne mbështesim e do të mbështesim çdo veprim në këtë drejtim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›