Berisha: Do pesëfishojmë subvencionet në bujqësi

TIRANË, 3 maj/ATSH/ Kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë takimit sot elektoral në Peqin prezantoi programin e koalicionit opozitar.
Berisha tha se “pas 11 Majit, të gjithë pensionistët dhe rrogëulëtit do marrin kartën e konsumatorit, me të cilën do blejnë bukën, sheqerin, vajin, orizin, mishin, qumështin, vezët, 20 % më lirë. Do fitojnë në vit 450 euro vetëm nga kjo kartë”.
“Me 11 Maj me votën tuaj ju bëni një ndryshim shumë të madh sepse fermeri shqiptar do ketë jo më 32 milionë euro siç pati në buxhetin 8 miliardë euro të Edi Ramës subvencione. Fermerët japin 19 % të prodhimit të përgjithshëm të vendit. Fermerët punësojnë 500 mijë shqiptarë dhe ai ndau 32 milionë euro për ta. U garantoj se kjo shumë do të pesëfishohet dhe do subvencionoheni për çdo fidan të mbjellë, pesë herë më shumë se sot. Do subvencionoheni për çdo kokë bagëti dhe njësi prodhimi pesë herë më shumë se sot. Dhe çdo kriter i vendosur se duhet të keni 10 lopë apo kaq hektarë tokë, bie. Për çdo kokë, për çdo fidan, për çdo njësi prodhimi do jetë subvencionimi”, deklaroi ai.
Gjithashtu, kreu i PD-së, tha se “qytetarët shqiptarë në 100 ditët e para do kenë të rimbursuar 100 % listën e barnave që rimburson republika italiane”.
“Po, nuk premtojmë ne as rrogat e italianëve, as edhe nivelin e tyre, po ilaçet e tyre po. Ato do i kenë shqiptarët për t’u mjekuar njëlloj si ata. Pra, vota me 11 Maj është një votë për shëndetin tuaj, për njerëzit tuaj të sëmurë dhe për dinjitetin tuaj”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal edhe te të dhënat e publikuara nga INSTAT sipas të cilës shqiptarët shpenzojnë nga xhepi i tyre për kujdesin shëndetësor 820 milionë euro në vit.
“Unë ftoj ndërgjegjen e çdo shqiptari të kujtojë se a nuk erdhi Edi Rama në pushtet me premtimin se shëndetësia do jetë falas. Kurse sot shqiptarët paguajnë më shumë nga xhepi për shëndetin tuaj se çdo qytetar evropian dhe ndoshta se çdo qytetar në botë. Vota juaj me 11 Maj do të jetë votë për të kursyer xhepat e shqiptarëve 800 milionë euro dhe kjo nuk është pak se kjo kthehet në të mira për shqiptarët dhe familjet e tyre”, tha Berisha.
Ai foi edhe për mbështetjen ndaj biznesit të vogël duke u zotuar se “do e kenë energjinë 3 herë më lirë, nga 18 në 6 lekë. Tavanet për TVSH-në dhe tatim fitimin do rriten nga 100 mijë dhe 140 mijë euro që janë sot në 180 mijë euro. Hapësira publike do pjesëtohet me pesë. Tarifa e ujit do përgjysmohet”.
“Garantoj bizneset e mëdha se Shqipëria do jetë vendi i taksave më të ulëta në Europë dhe më shumë në Shqipëri. Se tatimi mbi fitimin do jetë 10%, TVSH do zbresë nga 20 në 15 %, energjia do u shitet 3 herë më lire dhe çdo i ri që do punësohet, shteti do i paguajë sigurimet shoqërore për një vit”, deklaroi Berisha.