E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do plotësojmë detyrimet për klimën

Kryeministri Sali Berisha ka mbajtur një fjalim sot në samitin e klimës në Kopenhagen.
Kreu i qeverisë u shpreh se qeveria shqiptare i konsideron ndryshimet klimatike si një prej kërcënimeve më serioze me të cilën përballet planeti ynë dhe një prej çështjeve më komplekse që duhet trajtuar me vendosmëri dhe efikasitet. Numri 1 i qeverisë shqiptare pohoi se Shqipëria është e gatshme të plotësojë detyrimet për klimën.

Berisha theksoi se qeveria shqiptare ka integruar në Strategjinë e saj të Zhvillimit Kombëtar parimin e zhvillimit te qëndrueshëm, si dhe nxitjen e teknologjive të gjelbra duke synuar drejt një ekonomie pa karbon. "Si një vend që është në procesin e integrimit në bashkimin Evropian, gjithë zhvillimi industrial dhe aktiviteti ekonomik i vendit po realizohet nën rregulla të rrepta ligjore, miqësore me mjedisin dhe konform normave dhe standardeve të BE-së", u shpreh kryeministri.

Kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria mbetet e gatshme të kontribuoje në përpjekjet kundër ndryshimit të klimës dhe për të vënë në jetë vendimet e këtij samiti te rëndësishëm.

Kreu i qeverisë u nis një ditë më parë në Danimarkë dhe do të qendrojë deri në mbyllje të samitit. Gjatë qëndrimit atje, Berisha është i ftuar në një darkë që shtrohet për nder të pjesëmarrësve nga mbretëresha e Danimarkës, Madhëria e Saj Mbretëresha Margrethe II. Gjithashtu, Berisha është i ftuar edhe në një drekë të shtruar nga kryeministri danez së bashku me kryetarët e tjerë të qeverive dhe delegacioneve pjesëmarrëse në këtë konference.
Gjatë këtyre ditëve, kryeministri do të zhvillojë një seri takimesh bilaterale me liderë të rajonit dhe evropianë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›