E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më shumë se një miliard njerëz të uritur në botë

Këtë fakt e deklarojnë agjencitë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke konfirmuar një parashikim të zymtë që ishte publikuar disa muaj më parë.
     
Organizata Botërore për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) dhe Programi Botëror i Ushqimit (ËFP) njoftuan se 1.02 miliard njerëz, rreth 100 milion persona më shumë se vitin e kaluar, janë të kequshqyer, shifra më e lartë e regjistruar në katër dekada.
     
"Rritja e numrit të të uriturve është e patolerueshme", deklaroi drejtori i Përgjithshëm i FAO-s, Jacques Diouf, pas publikimit të raportit botëror për urinë.
     
"Ne kemi mjetet ekonomike dhe teknike për të zhdukur urinë, por ai që mungon është një vullnet më i fortë politik për të zhdukur përgjithmonë urinë", shtoi ai.
     
Rritja e numrit të njerëzve të uritur nuk erdhi si rezultat i të korrave të pakta, por për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimit, veçanërisht në vendet në zhvillim, uljes së të ardhurave dhe mbylljes së vendeve të punës.
     
Grupi i tetë vendeve më të zhvilluara të botës (G8) premtoi në korrik 20 miliard dollarë ndihma për tre vitet e ardhshme si ndihmë për vendet e varfra, duke sinjalizuar një fokusim të ri mbi zhvillimin afatgjatë të bujqësisë.

                                                                                             

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›