E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani u kërkon bankave të rrisin kreditimin ndaj ekonomisë



Ndonëse sistemi bankar në Shqipëri paraqitet aktualisht i qëndrueshëm, për Bankën e Shqipërisë në të ardhmen prioritet i saj mbetet zhvillimi i një sistemi bankar të qëndrueshëm përballë alternativave të reja të zhvillimit ekonomik e financiar. Guvernatori Fullani ndonëse ka vlerësuar zhvillimet pozitive në sistemin bankar, që janë shoqëruar me rritje të depozitave dhe dhënies së kredisë në lekë, ka kërkuar nga bankat e nivelit të dytë të jenë më të kujdesshme ndaj biznesit dhe të mos frenojnë kreditimin e ekonomisë. I pranishëm në Forumin e Tretë të Hapur, të sistemit bankar shqiptar, që u organizua nga banka, Guvernatori Fullani theksoi se si prioritet të institucionit qendror bankar shqiptar do të jetë forcimi i mekanizmave financiarë dhe zhvillimi i veprimtarisë bankare konform pritshmërisë për të ardhmen. Duke bërë një ekspoze të situatës ekonomike, Guvernatori tha se situata e përjetuar me likuiditetin, si edhe efektet e krizës ndërkombëtare mbi sektorin real të ekonomisë, kanë sjellë uljen e theksuar të ritmit të kreditimit dhe kanë ndikuar negativisht në cilësinë e portofolit të kredisë së sektorit bankar. Për këtë arsye, rezultati financiar i sektorit, ndonëse më i ulët se ai në vitin 2008, vazhdon të jetë pozitiv. “Për secilin nga ne tashmë është e qartë, që sektori bankar duhet të përballojë një klimë më të vështirë biznesi dhe ka nevojë të përshtatet për një periudhë afatmesme. Në fakt, po konstatohet një ndërvarësi komplekse midis rritjes ekonomike dhe shëndetit financiar të bankave. Rënia e investimeve dhe pjesërisht e konsumit në ekonomi, është reflektuar në ulje të kërkesës për kredi. Nga ana tjetër, rritja e primeve të rrezikut ka bërë që bankat të jenë më të kujdesshme në dhënien e kredive, duke i kushtuar një vëmendje në rritje treguesve të likuiditetit”, - ka deklaruar dje Guvernatori Fullani. Nga ana tjetër, ai u ka bërë të ditura bankave të nivelit të dytë, se gatishmëria e tyre për të kredituar ekonominë me fonde ka rënë. Ndaj në këtë situatë, ai në emër të Bankës së Shqipërisë gjykon se mund të hyhet në një rreth vicioz, në të cilin moskreditimi i ekonomisë rezulton në një ngadalësim ekonomik të zgjatur që, për shkak të lidhjes së interesave, dëmton të gjithë aktorët në ekonomi, përfshi edhe bankat. Për të përballuar këtë situatë, Fullani sugjeroi se “kjo situatë kërkon veprime kundërciklike në nivel të përgjithshëm”. “Në praktikë, sektori bankar duhet të ushtrojë rolin që ka në nxitjen dhe zhvillimin e aktivitetit ekonomik, padyshim me kujdesin e nevojshëm. Ky sistem është gjeneratori dhe kontrollori i ekonomisë së tregut.

Dhënia e impulseve të zhvillimit në mënyrë koncertale duhet të jetë një detyrë parësore e tij, ndërkohë që sinergjitë pozitive që do të krijohen, do të sjellin përfitime të dyanshme: si për rritjen ekonomike, ashtu edhe për stabilitetin financiar”, - tha Fullani. Ndërsa shtoi se Banka e Shqipërisë gjykon se industria bankare duhet të realizojë një rishikim të strategjive të rritjes së veprimtarisë bankare, duke synuar harmonizimin më të mirë të tyre me burimet e nevojshme njerëzore, financiare e teknologjike. Sipas tij, prioritare mbetet edhe njohja dhe administrimi në mënyrë efektive i rreziqeve të veprimtarisë. Në terma më praktikë, ky proces duhet të synojë vendosjen e mekanizmave të brendshëm, të cilët parandalojnë krijimin e ekseseve në drejtime të caktuara të veprimtarisë bankare, synojnë diversifikimin më të mirë të investimeve dhe mbështesin forma sa më të qëndrueshme të burimeve të financimit.

Depozitat dhe kreditë anojnë nga leku

Duke e vlerësuar si forumin e vazhdimësisë, Fullani tha se ky takim vjen në një moment të rëndësishëm, pas një viti të vështirë për ekonominë e publikun, ndërkohë që sot, duket që situata po shkon drejt një normaliteti përfundimtar. Në këtë kontekst, - theksoi Fullani, - forumi i tretë do të ketë si lajtmotiv forcimin e besimit të publikut për sistemin financiar dhe bankar. Duke iu referuar statistikave të fundit, Guvernatori Fullani theksoi se "sot niveli i depozitave po i afrohet në mënyrë të qëndrueshme nivelit të para-krizës, ndërkohë që vazhdon me ritme progresive, kreditimi në monedhën kombëtare".

Fullani tha se tani është momenti që të bëhen analiza të plota për shkaqet e kësaj krize dhe veprimeve që duhen marrë për rritjen e kapacitetit financiar në të ardhmen. Guvernatori solli në vëmendje të pjesëmarrësve, bankierë dhe ekspertë të ekonomisë, se forumi i parë i sistemit bankar konsolidoi themelet e stabilitetit financiar në Shqipëri dhe vendosi themelet e masave parandaluese ndaj zhvillimeve të kohës së krizës financiare botërore.

Ndërkohë që forumi i dytë, - theksoi Fullani, - konfirmoi zbatimin e të gjithë detyrave, me qëllim parapritjen e krizës dhe tregoi se sistemi bankar në vendin tonë, kishte arritur imunitet në përballimin e situatave kritike. Punimet e forumit të tretë të sistemit bankar shqiptar, u përqendruan në analiza dhe diskutime mbi prirjet e fundit në sistemin bankar, si dhe çështjet e përgjegjshmërisë të zhvillimit të veprimtarisë si dhe pritshmërinë për të ardhmen, për një sistem bankar të qëndrueshëm.

Bankat rrisin produktet elektronike për klientët

Bankat kanë rritur produktet elektronike në shërbim të klientëve të tyre. Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, tha dje se tashmë në sistemin bankar shqiptar, 15 banka përdorin transaksionet në rrugë elektronike, ndërkohë që vlen të theksohet zgjerimi i shërbimit të internet banking edhe në tre banka të tjera të sistemit. Duke u ndalur në rritjen e konkurrencës bankare, si dhe rritjen e vëllimit të transaksioneve financiare nëpërmjet bankave, Guvernatori Fullani evidentoi faktin e zgjerimit të rrjetit bankar me degë dhe agjenci të reja. Në vitet e fundit numri i degëve dhe agjencive brenda territorit të Republikës së Shqipërisë u rrit me 106, nga të cilat 43 janë hapur të reja në rrethin e Tiranës. Fullani nënvizoi se gjatë vitit 2008 për herë të parë u evidentuan elemente moderne të konsolidimit të sistemit bankar, nëpërmjet bashkimit me përthithje të dy bankave. Ndërkohë sipas tij, përballë krizës financiare ndërkombëtare, sistemi bankar shqiptar tregoi imunitet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›