E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha:Do rrisim pagat dhe pensionet, jo përplasje me FMN

Kryeministri Berisha ka deklaruar se qeveria do të rrisë sërish rrogat dhe pensionet ndërsa ka garantuar se do të bëhen përpjekje maksimale për të mos rritur borxhin publik.

Duke folur në mbledhjen e qeverisë kryeministri Berisha theksoi se rritja e rrogave dhe pensioneve është një politikë e domosdoshme dhe një invesitm në burimet njerëzore.
 

“Ne vazhdojmë rritjen me përparësi të pensioneve të ulta, të rrogave të ulta si dhe do të bëhet indeksimi i rrogave të larta” theksoi Berisha ndërsa shtoi se ky është një lajm i veçantë pasi merret në një kohë kur ulja e rrogave është rregulli për shkak të krizës.

 Më tej kryeministri Berisha theksoi se modeli ekonomik i Shqipërisë bëri që të përballohet me sukses kriza ekonomike ndërsa shtoi se reformat e ndërmarra nga qeveria shmangën recesionin.
 

“Nuk ka dyshim që pasojat e krizës janë ndjerë në ekonominë shqiptare por ato nuk kanë arritur të përkthehen në recesion. Ekonomia shqitare është efektive në të gjithë sektorët. Invesitmet e huaja kanë njohur rritje shumë të madhe krahasuar me vitet e kaluar ndërsa rritje të madhe ka pësuar edhe turizmi” theksoi më tej Berisha.

Gjithashtu Berisha sqaroi dhe pozicionin e mazhorancës përballë vlerësimeve të FMN-së ndërsa shtoi se qeveria shqiptare nuk ka asnjë përplasje me FMN-në. Sipas tij  FMN-ja nuk ka kërkuar mos rritjen e pagave por ka kërkuar vetëm mos rritjen e borxhit, gjë që sipas tij është respektuar nga qeveria.

“FMN e ka theksuar në të gjithë dokumentet e tij suksesin ekonomik të Shqipërisë. Në treguesit makro ekonomik, si borxhet inflacioni dhe difiçiti buxhetor luajalitit dhe vendosmëria e qeverisë është absolute për t`ju përmbajtur objektivave. Nuk po shkelim asnjë lloj premtimit. Për rritjen e taksave nuk kemi marrëveshje me FMN. Pra marrëdhëniet janë shumë të mira dhe do vazhdojnë të jenë të tilla”, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›