E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do shkurtojmë buxhetin, por do të rrisim pagat

Kryeministri Sali Berisha ka konfirmuar edhe njëherë rritjen e pagave dhe pensioneve në mbledhjen e grupit parlamentar dje. Në Shqipëri ka një maratonë të vërtetë dhe kjo maratonë ka qenë rritja e rrogave dhe pensioneve, rritje e cila i ka tejkaluar të gjitha parashikimet, tha Kryeministri. Sipas tij, kjo politikë ka pasur efektet e veta të mëdha në performancën e administratës shtetërore. “Sisteme të tëra të kësaj administrate dhe të shtetit ishin në degradim të vërtetë. Sot janë në konsolidim të vërtetë. Sot në Shqipëri nuk ka asnjë arsimtar që dëshiron të largohet nga arsimi, sepse marrin 115 apo 120 për qind më shumë seç merrnin në vitin 2005”, ka deklaruar Berisha. Ai tha se, jashtë çdo lloj politizimi, sot kjo është mazhoranca e vetme në Europë që në një hark kohor gjashtë vjeçar ka rritur me 115 – 120 për qind pensionet e ulëta. Sipas Kryeministrit, ekonomia shqiptare, sigurisht, ka atë peshë që mund të ketë Shqipëria në ekonominë evropiane, por është më e hapur ndaj saj se çdo ekonomi tjetër. “Afro 70 – 80 për qind e të gjitha shkëmbimeve tregtare ekonomia e Shqipërisë i ka me vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian. Kjo është e vërteta. Ndaj dhe falë këtij modeli ekonomik Shqipëria i përmbahet plotësisht objektivave të saj në rritjen e rrogave, pensioneve, në projektet më ambicioze në historinë e vendi, në infrastrukturë” tha Berisha. Ndaj sipas kryeministrit, nuk mund të kërcënosh dhe të bësh fjalë për krizën e borxheve të Greqisë apo vendeve të tjera në një kohë kur borxhi i këtij vendi ishte 72 për qind, kur qeverisje dhe sot është 59.7 për qind. “Dua t’ju them se kuadri makroekonomik i këtij viti do të jetë shumë i mirë. Këtë rishqyrtim të buxhetit po e bëjmë për të garantuar totalisht se nuk do të ketë asnjë tejkalim të borxhit, nuk do të ketë asnjë tejkalim të deficitit buxhetor që ju keni votuar në Parlament dhjetorin e vitit të kaluar, nuk do të ketë asnjë tejkalim të inflacionit që ju keni miratuar kur keni votuar ligjin e buxhetit. Natyrisht shkurtime në shpenzime do të bëhen dhe kjo është normale” Tha Berisha. “Të mos harrojmë se, vitin e kaluar rrogat dhe pensionet u rritën pa u ndjerë farë vetëm duke shkurtuar shpenzimet që bëmë më veturat, ku një shofer dhe një makinë na kushtonte 19 mijë dollarë. Ato para i kthyem në rroga dhe pensione. Edhe këtë vit do të bëjmë shkurtime në shpenzimet e administratës. Sigurisht, do mendojmë për rrogat dhe pensionet. imagjinoni ju po të ishin ato 3-4 mijë vetura, nuk do t’i kishim rritur dot rrogat vjet, shtoi ai. “Këtë vit, duke filluar nga buxheti i kryeministrisë e të gjitha institucioneve të tjera, do të ketë shkurtim të shpenzimeve, në mënyrë që të garantojmë projekte të mëdha, të garantojmë rritjen e rrogave dhe pensioneve, të garantojmë treguesit makroekonomik”, tha Berisha në fjalën e tij para deputetëve të djathtë. “Unë ju garantoj se shkurtimi duhet bërë, por situata është shumë e stabilizuar dhe nuk ekziston asnjë kërcënim dhe asnjë rrezik, përveç imagjinatës së sëmurë të atyre që kanë katër vjet që flasin për krizë dhe ajo ekziston vetëm në mendjen e tyre dhe nuk ekziston kurrkund në ekonominë shqiptare”, përfundoi ai.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›