Financat,gati organigrama e re e qeverisë
Një grup pune, i kryesuar nga Ministria e Financave, dorëzon këtë ditë strukturën e re të qeverisjes. Sipas Ministrisë së Financave, kjo reformë do të bëhet për t’i vënë fre abuzimeve me fondin e pagave, që buxheti vë në dispozicion të institucioneve
Një valë e re shkurtimesh pritet të përfshijë administratën publike ketë vit, për shkak të një organigrame të re, që është duke planifikuar qeveria dhe që do të shtrihet në të gjitha institucionet buxhetore. Një grup pune, i kryesuar nga Ministria e Financave, dorëzon këto ditë strukturën e re të qeverisjes. Grupi i punës që po merret me disiplinimin e fondit të pagave do të përfshijë në reformë shpenzimet e personelit që kanë lidhje me pagat. Sipas Ministrisë së Financave, kjo reformë do të bëhet për t’i vënë fre abuzimeve me fondin e pagave, që buxheti vë në dispozicion të institucioneve. Struktura e re parashikon shkrirje të drejtorive dhe sektorëve me funksione të ngjashme në shumë dikastere. Gjithashtu, struktura e re do të spastrojë administratën nga mbushjet që u bënë pas skemës së vitit 2005 për qeverisje të vogël. Ndërkohë që disa nga masat e grupit të punës janë reflektuar tashmë. Një nga propozimet për forcimin e disiplinës në këtë fushë është përfshirja e numrit të punonjësve për çdo ministri dhe institucion qendror në ligjin e buxhetit të vitit 2011, për herë të parë. Kjo masë është reflektuar tashmë. Sipas dikasterit të Bodes, analiza e grupeve kryesore të shpenzimeve ka konkluduar në faktin se, pas reduktimit të ndjeshëm të shpenzimeve në zërat e tjerë si, ato administrativë, subvencione etj, kosto e personelit duhet t’i nënshtrohet një analize të thellë, shoqëruar me një reformë në sistemin e strukturave, organikave dhe të pagave. Afati i reformës është korriku i këtij viti, fiks koha që përkon me rritjen e pagave për administratën shtetërore. Burimet në Ministrinë e Financave pohojnë se, misioni i reformës nuk ka qëllim të vetëm gjenerimin e një fondi nga shkurtimet që di të shërbejë për rritjen e pagave, por shkurtimin e kostos buxhetore për pagat e administratës. Për shkak se tashmë, gati 2 të tretat e buxhetit të shtetit përdoren për paga dhe pensione. Pas reformës në paga, Ministria e Financave pritet të marrë edhe një reformë për rishikimin e skemës së pensioneve, e cila është rekomanduar me urgjencë nga Banka e Botërore. Nga ana tjetër, politika e rritjes së pagave do të vazhdojë edhe për vitin 2011 dhe do të konsistojë në një politikë të kujdesshme indeksimi dhe rritje selektive për sektorët prioritarë. Kështu, sipas ndryshimeve që janë duke u bërë në Ministrinë e Financave, do të vazhdojë rritja e diferencuar e masës së pensioneve për qytetin dhe fshatin. Ndërkohë që ministri Bode ka pohuar se “Jemi i vetmi vend në rajon, që më shumë se 1/3 e buxhetit e akordojmë për pensione dhe politika sociale”. Bode ka lënë të kuptojë se rritja e pagave dhe pensioneve është maturuar tashmë. Mirëpo edhe vitet e shkuara, Kryeministri ka qenë kundër Bodes për rritjen e pagave dhe pensioneve, duke kërkuar rritje më të larta.