E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët: Qendrime të ndryshme për shkurtimin e shpenzimeve

SHKRUAN: Sabina Veizaj 05-07-2011 11:58

Ekspertët e ekonomisë japin variante të ndryshme për mbajtjen në nivele të qëndrueshme të borxhit publik dhe deficitit. Gjergji është kundër rritjes së pagave, ndërsa Preçi është pro rritjes së tyre për një mirëqenie të qytetarëve.

Edhe pse draftbuxheti i rishikuar i mesvitit mbetet i bunkerizuar mes Ministrisë së Financave dhe Kryeministrisë, ekspertët e ekonomisë pavarësisht se nuk disponojnë shifrat e ndryshuara, sugjerojnë variante të ndryshme në teori për një ekuilibër makroekonomik të financave të vendit. Eksperti në Financat Publike, drejtor i Fondacionit për Liri Ekonomike, Artan Gjergji, për rritjen e të ardhurave në arkën e shtetit sugjeron mirëadministrimin e taksave dhe jo rritjen e tyre. Sipas tij, qeveria nuk mund të luajë me politikën e rritjes së taksave, pasi bie në kundërshtim me vijën e saj politike për taksa të ulta dhe si rrjedhojë i mbetet vetëm t’i mirëadministrojë ato nëpërmjet reformave të bëra, si vendosja e kasave fiskale, etj. Gjergji sugjeron se ulja e shpenzimeve duhet të konsistojë në reduktimin e shpenzimeve publike, por jo në investimet publike. Gjergji thotë se qeveria duhet të ulë shpenzimet operative, dietat, naftën, mirëmbajtjen dhe pagat e administratës. Ai është në kundërshtim të plotë të rritjes së pagave me buxhetin nën presion, pasi nuk do të ndikonte tek mirëqenia, sepse me rritjen e pagave do të rriteshin edhe çmimet në të njëjtin nivel, do të ndodhte në këtë mënyrë efekti zinxhir. Dhe si rrjedhojë, sipas Gjergjit, buxhetit do t’i krijohej një vakum financiar. Nga ana tjetër, Gjergji thotë se pensionet duhet të rriten në nivelin e inflacionit. Ndërsa eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, përshëndet nismën e qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve me buxhetin e rishikuar. Sipas tij, një vendim i tillë vjen në ndihmë të qytetarëve dhe nuk pritet të cenojë shpenzime të rëndësishme. Sipas Preçit, shpenzimet që nuk duhet të preken nga rishikimi i buxhetit janë në fushën e arsimit, në atë të shëndetësisë, si dhe shpenzimet që nxisin bizneset. Preçi shprehet se shpenzimet që nuk duhet të preken nga shkurtimi janë ato për arsimin dhe për shëndetësinë. Nisma e qeverisë për të rritur pensionet dhe pagat me buxhetin e rishikuar është parë me pozitivitet nga specialistët e financave dhe të ekonomisë. Sipas tyre, ky vendim i atribuohet menaxhimit efikas të shpenzimeve. Megjithëse nuk e mendojnë njësoj, pritet që çbunkerizimi dhe publikimi i draftbuxhetit të rishikuar të zbardhë realisht shifrat për shpenzimet e shkurtuara.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›