E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do të hapim universitet në Berat

Kryeministri Sali Berisha vijon turin e tij elektoral, "Shqipëria po ndryshon"

BERAT - Në vijim të turit të tij elektoral, "Shqipëria po ndryshon", Kryeministri Sali Berisha është ndalur dje në qytetin e Beratit, ku ashtu si edhe në qytetet e tjera, ka radhitur pikat e programit të PD-së, duke pretenduar një mandat të dytë qeverisës. Kryeministri Sali Berisha nuk harroi të përsërisë premtimin e pambajtur për hapjen e universitetit, duke thënë së kësaj here ajo do të bëhet realitet. "Në katër vite ne ia dolëm që të dyfishonim pensionet e 170 mijë burrave dhe grave, të moshuar, ia dolëm që me reformat tona të nxjerrim nga varfëria 400 mijë shqiptarë, ia dolëm së bashku që ta shndërrojmë Shqipërinë një nga vendet më tërheqëse për investimet e huaja", - u tha Berisha qytetarëve të Beratit.


"Unë jam sot para jush për të shpallur projektin tim për Beratin, për Shqipërinë europiane. Jam sot këtu për t'u zotuar para jush se projekti i të gjitha projekteve infrastrukturore për 4 vitet e ardhshme është projekti i Jugut. Për vitet që vijnë, ju do jeni metropol i fuqishëm infrastrukturor i rrugëve moderne. Zotohem para jush se do të asfaltoj çdo rrugë, nga Tomori deri në Shpirag", - premtoi Berisha.


Kryetari i PD-së foli edhe për biznesin, duke atakuar pushtetin vendor. "Larg duart nga biznesi i vogël! Për çdo nevojë drejtojuni qeverisë. Qeveria, pa asnjë dallim partiak do të miratojë çdo projekt që do të hartoni për të ndryshuar jetën e banorëve të qyteteve tuaja. Taksa e biznesit të vogël do të jetë 10% e asnjë qindarkë më shumë",- tha Berisha. Si gjithmonë, Berisha nuk ka harruar të përsërisë për të dhjetën herë akuzën ndaj liderit socialist, Edi Rama, i cili, sipas tij, nuk guxon të kandidojë si deputet. "Le të jetë kryetar bashkie, do ta lejoj të kandidojë, vetëm ai të marrë këtë kurajë e të kthehet në krye të partisë së tij", - shtoi ai. Mitingu u mbyll me këngën e "Elita 5", "Shqipëria po ndryshon".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›