Shpellari i Dunit shfaqet në Athinë
Monodramën e Rob Beckerit, "Mbroni shpellarin", aktori dhe regjisori shqiptar, Spiro Duni, e shfaq sonte në orën 20.00, në Teatrin Knosos në Athinë.
Ç'është gruaja për një burrë? Si mund të jetojmë me njeriun e jetës edhe atëherë kur rutina duket e pashmangshme? A e njohim deri në fund gruan që kemi pranë? Deri ku arrin njohja e njërit dhe tjetrit në një marrëdhënie? Janë pyetje që marrin një farë përgjigjeje në shfaqjen "Mbroni shpellarin", të cilën autori amerikan Becker e ka vënë vetë në skenë, pasi është një vepër që komunikon në natyrën e "one man show".
Kurse regjisori shqiptar e shfaqi premierë në Tiranë, në Teatrin Kombëtar, në pranverë të këtij viti si produksion privat i kompanisë teatrore "PO", që Duni e themeloi në vitin 2002.