Grabitet dyqani i kasapit, hajdutët marrin 250 kg mish
Një vjedhje është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së dielës në fshatin Zharrëz të komunës me të njëjtën emër në rrethin e Fierit. Një dyqan mishi është bërë objekt bastisjeje. Policia ka gjetur gjurmë të autorëve në vendin e ngjarjes, ndërsa deklaron se po punon për zbardhjen e saj. Burimet zyrtare të Komisariatit të Policisë së Fierit pohojnë se në orët e para të mëngjesit të së dielës është konstatuar vjedhje në dyqanin e shtetasit Bajram Bare, banues në fshatin Zharrëz, rreth 8 kilometra larg Fierit. Ka qenë pronari i dyqanit, ai që është përballur i pari me vjedhjen. Menjëherë, ai ka njoftuar policinë. Sipas dëshmive të dhëna për policinë, mbrëmjen e kaluar, Bare kishte qëndruar në dyqanin e mishit që drejtonte prej vitesh deri në orën 23:00 të mbrëmjes, pasi kishte therur një viç dhe e kishte përgatitur mallin për të dielën. Mëngjesin e së dielës, rreth orës 05:30, ai i është drejtuar dyqanit të tij dhe ka parë se dera kryesore ishte e hapur. Menjëherë është futur brenda dhe ka vënë re se asgjë nuk ishte lënë prej hajdutëve. Policia deklaron zyrtarisht se prej dyqanit të mishit është vjedhur një sasi prej 400 mijë lekësh që ndodheshin në kasë. Po ashtu, policia deklaron se nga dyqani është marrë edhe një sasi prej 250 kg mish. Madje, vjedhësit kanë arritur të marrin edhe mishin që qëndronte në frigorifer, si dhe një pjesë të mishit që ishte varur në çengel për të kulluar gjakun. Inspektorët e policisë, që kanë marrë gjurmë dhe dëshmi të shumta për këtë vjedhje, pohojnë se hajdutët për të hyrë në dyqan kanë pritur orët e natës, si dhe kanë dëmtuar më parë bravën kryesore të derës. Pas hapjes së saj, lehtësisht kanë hyrë në dyqan dhe mendohet se mishin e kanë transportuar me automjet. Policia ka ushtruar kontroll në disa banesa të dyshuara në fshatin Zharrëz. Gjithashtu, policia ka marrë në pyetje disa persona të këtij fshati që dyshohet se janë me precedent, ndërkohë që ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve. Dyshohet prej policisë se një bandë vjedhësish është aktivizuar prej disa muajsh në zonat rurale të Qarkut Fier.