Berisha: Do të ndihmojmë çdo qytetar, kudo që ai ndodhet

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një vizitë në zonat verilindore të vendit, për t'u njohur nga afër me situatën e krijuar nga moti i keq dhe masat e marra për përballimin e saj.
Kryeministri Berisha u ndal fillimisht në Peshkopi, ku u takua me banorë të shumtë dhe dëgjoi shqetësimet e tyre. Kryeministri zhvilloi një takim në bashkinë e qytetit, me përfaqësues të pushtetit vendor dhe shtabit lokal të emergjencës, ku u njoh me situatën e qarkullimit të rrugëve, furnizimit me ushqime dhe emergjencave shëndetësore të këtyre zonave. Kryeministri theksoi se duhet ë parashikohen rezervat ushqimore, gjendja e rezervave shëndetësore, kalueshmëria e rrugëve dhe ndihma emergjente. Por, ai tërhoqi vëmendjen se prioriteti kryesor duhet të mbetet jeta e njeriut. “Në prioritetet e emergjencave, i pari është njeriu. Kudo që të ndodhet një qytetar, ne duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për ta ndihmuar atë."
Kryeministri Berisha përgëzoi dhe inkurajoi qeveritarët vendorë për punën e bërë për përballimin e situatës dhe ruajtjen e normalitetit të jetës në këto zona, ndërsa theksoi se qeveria po endjek me vëmendje të madhe dhe në vazhdimësi situatën. “E kam ndjekur në mënyrë konstante situatën e krijuar në Dibër, Kukës dhe në qarqe të tjera që kanë pasur probleme. Tashmë është krijuar Shtabi Qendor i Emergjencave, i kryesuar nga Zëvendëskryeministri Pollo dhe po e ndjekim situatën në vazhdimësi.”
Kryeministri Berisha theksoi se në një situatë të tilla ka dy aspekte kryesore që duhet të realizohen, mobilizim dhe parashikim i situatave. “Ju duhet të mobilizoni të gjitha resurset lokale, ndërkohë që qeveria ka kërkuar nga prefekturat që të shpallin gjendjen e emergjencës, mbi bazën e të cilës, ata, në përputhje me ligjin, mobilizojnë çdo resurs lokal, në funksion të zgjidhjes së emergjencës”, tha Kryeministri.
Kryeministri bëri me dije gjithashtu se në Tiranë një skuadrilje me helikopterë është në gatishmëri për çdo rast të nevojshëm. Por, theksoi ai, edhe në rast se helikopteri nuk mund të shkojë në atë zonë apo fshat, duhet të organizohet transporti i çdi qytetari me barelë apo me mjete te tjera të nevojshme. “Duhet të ngrihen skuadra të gatshme dhe nuk duhet të lemë askënd pa ndihmuar.”
Kryeministri Berisha tha se Shtabi i Emergjencës do të përcaktojë fondet për secilën komunë, në mënyrë që të kapërcehen këto vështirësi në këtë dimër, i cili, sipas Kryeministrit, ka edhe të mira të tjera shumë pozitive, për sa i përket prurjeve të ujërave e reshjeve.
Kryeministri tërhoqi vëmendjen edhe për furnizimin në kohë me ilaçe e medikamente të nevojshme. “Mjekët më kanë informuar se ka disa probleme mungesash në ilaçe e probleme të tjera, për të cilat sot janë urdhëruar helikopterët të shkojnë në këto zona. Ndërkohë që ditën e djeshme, shtabi i emergjencës ka ngarkuar ushtrinë për të bërë të mundur kalimin e plotë të aksit Rrëshen – Lurë. Probleme ka në Reç, Zalldardhë, etj, por ne nuk duhet të lemë as edhe një familje të vetme pa vendosur komunikim me ta, sepse mjetet e komunikimit në këto situate janë të rëndësishme”, vijoi Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri tha se KESH-i duhet të jetë 24 orë në punë, për të lehtësuar banorët e këtyre zonave nga vështirësitë e krijuara. “Ata janë të pa përgatitur për mungesën e energjisë dhe kjo është normale. Nuk mund t’ju kërkojmë atyre tashmë të kthehen te epoka e vajgurit. Ndaj duhet bërë çdo përpjekje që kudo ku konstatohet defekti, të bëhet e mundur rregullimi i tyre. Ka pasur një defekt të rëndë në linjën kryesore Lezhë- Vau i Dejës, por mbrëmë është vendosur që me shpejtësi të riparohet kjo linjë”, tha Kryeministri.
Kryeministri u shpreh se në tërësi qeveritë vendore kanë funksionuar shumë mirë në përballimin e situatës.
Për sa i përket situatës së shkollave, Kryeministri tha se edhe këtu duhet të përpiqemi që nxënësit e zonave të bllokuara tw grupohen dhe t’u sigurohet transporti, me përparësi.
I pyetur nga mediat nëse e është e gatshme qeveria dhe shtabi i emergjencës që të përballojnë krahas kësaj situate të motit, edhe lëkundjet e mundshme të tërmetit në këto zona, kryeministri u shpreh:
“Qeveria është e gatshme të përballet me çdo lloj të papriture që mund të ndodhë. Kjo qeveri është një qeveri e cila ka një buxhet shumë të shëndetshëm dhe në këtë buxhet, qeveria mban gjithmonë një sasi e cila quhet kontigjencë që do të thotë para të vendoszura mënjanë në buxhet, pa destinacion, por që duhet të përdoren për destinacione të papritura. Për vitin 2009, kontigjenca është rreth 300 milionë dollar, një fond ky që i lejon qeverisë të reagojë në çdo situatë. Unw uroj të mos kemi as një problem, qoftë edhe minimal në këtë aspekt, por në të kundërt, qeveria i siguron qytetarët se ajo është e përgatitur në çdo rrethanë që të përballet me të papriturat që mund të ndodhin”.