E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista/Ziri: Rezultatet e qeverisjes lidhen drejtpërdrejt me profilin e kryeministrit Berisha

Deputeti i PD-së, Shkëlqim Ziri, në një intervistë për gazetën 55 bën një analizë të veprimtarisë së qeverisë Berisha, duke u ndalur në arritjet e rëndësishme në një sërë sektorësh, si në ekonomi, shëndetësi e arsim, por edhe tek reforma në drejtësi, duke nxjerrë në pah impaktin pozitv që kanë pasur në zhvillimin e vendit

Në vitin e fundit të mandatit qeverisës së PD-së, cili është vlerësimi juaj për punën e qeverisë?
Qeveria Berisha konsiderohet pa frikë një qeveri reformatore. Gjatë tre viteve qeverisjeje është mbjellë dhe në vazhdimësi po bëhet korrja e sukseseve. Janë ndërmarrë një sërë reformash të cilat po e shpien vendin drejt integrimit euroatlantik. Është marrë ftesa për anëtarësim në NATO dhe gjithashtu pritet liberalizimi i vizave. Liberalizimi i tyre do të bëjë që shqiptarët të rendin drejt kufijve si në vitin 1992, por jo për të kërkuar lirinë si atëherë por në kërkim të zhillimit dhe rritjes së mirëqënies ekonomike. Të gjitha këto arritje shqiptarët i lidhin drejtpërsëdrejti me figurën e kryeministrit Berisha, i cili ka mundur të sigurojë pëlqimin dhe mbështetjen e perëndimit. Kjo duket në vizitën e ish presidentit amerikan Bush apo edhe së fundi në nënshkrimin e marrëveshjeve për prodhimin e energjisë elektrike midis vendit tonë dhe Italisë të përfaqësuar nga kryeministri Berluskoni.

Sipas jush, cilat janë disa nga fushat ku qeveria ka shënuar arritje dhe cili ka qenë impakti i tyre në zhvillimin tërësor të vendit apo edhe në jetën e qytetarëve shqiptarë?
Qeveria ka shënuar arritje në një sërë fushash pasi është punuar me përkushtim. Së pari do të përmend ekonominë e cila ka njohur një zhvillim të dukshëm. Qeveria ka pasur prirje të realizojë një ulje të taksave të biznesit, ulje të taksave personale. Një sukses i spikatur është edhe vendosja e taksës së sheshtë, e cila mund të duket si një politikë e majtë meqë është në raport të drejtë me nivelin e të ardhurave por realisht nuk është e tillë. Një politikë e tillë është ndërmarrë në një sërë vende të Evropës perëndimore dhe qëndrore, kjo taksë nuk synon të godasë bizneset e mëdhaja apo monopolet, pra do të thoja që qëndron diku në mes.Gjithashtu rritja e pagave dhe pensioneve është një tjetër sukses i qeverisë. Po të krahasohen pagat e vitit 2005 me ato të parashikuara në buxhetin e vitit 2009 vihet re një rritje e dukshme. Një sfidë mbetet barazimi i pensioneve të fshatit me ato të qytetit. Një tjetër fushë ku është vepruar suksesshëm është edhe lufta kundër krimit vecanërisht atij të lidhur me instanca apo struktura shtetërore. Gjithashtu marrja e ftesës për në NATO është një tjetër fakt i cili tregon se është punuar edhe në fushën e rendit dhe mbrojtjes. Pavarësisht se opozita preferon ta lidhë marrjen e kësaj ftese me elementë të caktuar gjeopolitikë, dihet që për marrjen e kësaj ftese vlerësohen kritere të tillë si organizimi i forcave të armatosura, niveli i të ardhurave bruto etj. Reforma elektorale dhe reforma në drejtësi është një tjetër iniciativë e qeverisë Berisha. Ndërsa fusha e shëndetësisë është në reformim e sipër.

Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme elektorale, si po procedon PD-ja për të performuar paraqitjen e një alternative sa më konkuruese dhe bindëse?
Organizimi i Partisë Demokratike nuk përbën thjesht një rutinë të zakonshme teknike. Të gjitha proceset organizuese po realizohen në përputhje me ndryshimet elektorale. Organizimi i brendshëm i PD-së nuk përmban asnjë element të organizimit të partive komuniste. Ajo paraqitet si një parti e vërtetë elektorale, një parti e hapur dhe në shërbim të anëtarëve, aktivistëve, mbështetësve dhe të gjithë qytetarëve.

PD, në bashkëpunim me partitë aleate mundësoi sigurimin e një koalicioni qeveritar të suksesshëm, pavarësisht shkëputjeve sporadike të cilat nuk ushtruan asnjë impakt mbi tërësinë e koalicionit. A priten risi apo ndryshime në kampin e djathtë në rastin e një mandati të dytë?
Koalicioni qeveritar rezulton i suksesshëm, pati një fillim të mirë edhe pse gjatë rrugës pati edhe largime. Në lidhje me një riorganizim të koalicionit të djathtë pritet reagimi i kreut të PD-së por edhe i krerëve të partive të tjera. Edhe krijimi i koalicioneve do të bëhet në përputhje me përmbajtjen e sistemit të ri elektoral dhe gjithashtu përfshihet edhe mundësia e krijimit të koalicioneve pas zgjedhore.

A mendoni se rezultatet e veprimtarisë së qeverisë që patën një ndikim pozitiv në zhvillimin tërësor të vendit dhe përmirësimin e imazhit ndërkombëtar janë garanci e një mandati të dytë?
Sigurisht që po. Të gjithë qytetarët janë të aftë të gjykojnë mbi këto arritje të cilat janë garancia e zgjedhjeve të ardhshme për PD-në. Për herë të parë qeveria me politikat e saj fiskale të suksesshme dhe më konkretisht me rritjen e pagave jo vetëm do të mundësojë një rritje të mirëqenies ekonomike por do të forcojë edhe vlerat e disa profesioneve, rëndësia e të cilëve po binte. Ajo që vë re edhe në zonën elektorale që përfaqësoj është pikërisht kërkesa e vazhdueshme për vende pune në sektorin e arsimit dhe kjo ndodh sepse pikërisht në këtë sektor është realizuar një rritje e konsiderueshme e pagave. Gjithashtu të rinjtë shqiptarë priren drejt studimit në degën e infermierisë pikërisht sepse ky profesion në tregun e punës vlerësohet me një pagë të lartë. Këto dhe një sërë politika të tjera të qeverisë që kanë patur një impakt pozitiv në jetën e qytetarëve shqipatarë janë garancia e PD-së në zgjedhjet e ardhshme elektorale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›