E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli: Fornizimi sa më mëirë i qytetarëve me energji është objektiv i qeverisë

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së energjisë, (OSSH) dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit nënshkruan të premten në ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, një marrëveshje bashkëpunimi, që synon zbatimin e ligjit, detyrimeve reciproke për pagesat e faturës së energjisë, dënimin penal ndaj  abuzimeve, etj. Në prani të ministrit të METE-s, Genc Ruli, marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i OSSH-së, Sait Dollapi dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. Ministri Ruli u shpreh se "kjo marrëveshje nënshkruhet në funksion të detyrimeve reciproke, për të siguruar atë që është objektivi i qeverisë, furnizimin sa më të mirë të popullatës me energji elektrike, që krahas masave të tjera ka edhe një parakusht të domosdoshëm, faktin që energjia si malli më i shtrenjtë dhe më strategjik, nuk duhet as të shpërdorohet, as të vidhet, as mos të paguhet". Duke theksuar faktin se detyra funksionale për realizimin e furnizimit dhe sigurimit të gjithë të ardhurave që vijnë nga shpërndarja e energjisë elektrike është e OSSH-së, Ruli shtoi se "Drejtoria e Policisë së Shtetit ka funksion vetëm mbështetës ndaj OSSH në realizimin e detyrave të tij, qoftë në raste të ndërhyrjeve për të shmangur lidhjet e paligjshme, vjedhjet e energjisë elektrike, apo mospagimin kronik të faturave të energjisë elektrike". Duke u ndalur tek rëndësia që kanë utilitetet publike si furnizimi me ujë dhe energji elektrike, ministri Ruli vlerësoi miratimin nga Parlamenti të një ndryshimi në Kodin Penal. Në bazë të tij, "çdo ndërhyrje në rrjetin ujor të furnizimit të ujësjellësave dhe të rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike, quhet vepër penale, pra dënohet si vepër penale dhe jo thejsht me një gjobë", nënvizoi ministri Ruli. Sipas tij, në këtë drejtim, ndihmesa dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm midis drejtorive rajonale të OSSH-së dhe drejtorive të Policisë së Shtetit, kthehet në funksion normal të shtetit. Ministri Ruli u shpreh se ky bashkëpunim dhe kjo marrëveshje do të ketë vlerë edhe pas privatizimit të OSSH-së. Ndryshimi i pronësisë nuk ka të bëjë me ndryshimin e performancës dhe të rolit të rëndësishëm të këtij sektori të rëndësishëm", tha Ruli.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›