Berisha: Do të vijojmë përmirësimin e klimës për biznesin

Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se "4 vitet që vijnë, do të jenë vitet në të cilat Shqipëria do të vazhdojë turravrapin e saj në drejtim të përmirësimit të klimës të biznesit, si dhe do të sigurojë një konkurrence më të lirë dhe më të ndershme". Gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit, në Hotel "Tirana International", Kreu i Qeverisë vuri në dukje se "gjatë këtyre 4 viteve është transformuar klima e biznesit dhe Shqipëria është shndërruar në vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë. Ne instaluam One Stop Shop, duke zbritur regjistrimin e biznesit në gjysmë ore nga 42 ditë. Hoqëm takimet tuaja të mundimshme dhe depersonalizuese me taksambledhësit dhe vendosëm taksën online. Shqipëria është i vetmi vend në botë me prokurime qind për qind elektronike, duke rritur kështu pjesëmarrjen në garë", tha Kryeministri Berisha, duke garantuar se "të gjitha blerjet dhe ankandet e kësaj qeverie do të zhvillohen në mënyrë elektronike. duke siguruar kështu transparencë të plotë".
Lidhur me politikat e ndjekura nga qeveria për uljen e taksave, Kryeministri siguroi se edhe në mandatin e dytë qeverisës do të vazhdohet me uljen e taksave. "Unë ju garantoj se për sa kohë ju do të votoni këtë forcë politike, ajo do të mbetet forca e taksave më të ulëta në Europë dhe e barrës burokratike më të lehtë në Europë", tha Kryeministri Berisha, duke shprehur bindjen se "vendosja e sistemit të taksave të ulëta i dha Shqipërisë rritje dyshifrore ekonomike. Ne jemi shumë larg vendeve në krizë. Kemi një rënie të eksporteve nga 5-8 për qind sipas muajve, por nga ana tjetër nuk kemi asnjë problem me buxhetin, pasi kemi të ardhura 8 - 10 për qind më shumë se sa vitin e kaluar", u shpreh Kryeministri Berisha. Sipas tij, "performanca fiskale në vend po ecën normalisht", ndërsa theksoi se përfituesit kryesorë nga taksa e sheshtë janë direkt punëtorët, pasi "për çdo dollar të ulur të kësaj takse, 0.54 dollarë i kalojnë punëtorit nëpërmjet rrogës ose investimeve të tjera". Duke iu referuar përurimit të sotëm të Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL), Kryeministri Berisha u shpreh se "kjo është një lëvizje e fuqishme në drejtim të heqjes së licencave dhe lejeve dhe ky ka qenë një proces shumë i mundimshëm".
Pasioni i burokratit për licencën është patologjik, tha Kryeministri, duke shtuar se "përurimi i QKL-së, pasi janë hequr 2/3 e licencave, përbën një arritje shumë të madhe për Shqipërinë". Duke siguruar se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për ta shndërruar QKL-në në një histori të vërtetë suksesi, Kryeministri garantoi se "së shpejti do të krijohet edhe sporteli unik për energjinë". "Shqipëria do të bëhet vendi i konkurrencës më të lirë. Janë në investim e sipër 15 miliardë euro, por Shqipëria ka nevojë për 50 miliardë euro, ndaj dhe ne nuk kemi asnjë instrument tjetër më të fuqishëm se lirinë për veprimtarinë e biznesit", u shpreh Kryeministri.Në kuadër të praktikës "Shqipëria 1 euro", Kryeministri ftoi biznesmenët që të paraqesin projekte, pasi qeveria u qëndron plotësisht zotimeve të saj. Kreu i Qeverisë vuri në dukje se "në mandatin e ardhshëm do të ketë lëvizje preferenciale të sistemit fiskal, edhe pse kjo nuk u bë gjatë këtij mandati". "Disa sektorë e kanë më të domosdoshëm këtë. Parqet industriale detyrimisht do të jenë zona të sistemit të veçantë, investimet në shëndetësi dhe arsim do të jenë të çliruara nga një seri taksash", tha Kryeministri, duke shtuar se "do të bëhet çdo përpjekje për të inkurajuar partneritetin publik-privat". Në përfundim, Kryeministri Berisha e konsideroi biznesin si një faktor të rëndësishëm jo vetëm për hartimin e programit qeverisës, por edhe për korrigjimin e tij në mënyrë që ky vend të ecë përpara me ritmet më të shpejta të mundshme.
...