E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do vazhdojë revolucioni fiskal, më shumë investime dhe rritje pagash e pensionesh

13-07-2011 / Gazeta 55

Kreu i Qeverisë Sali Berisha deklaroi sot në mbledhjen javore të Këshillit të Ministrave se do vazhdojë revolucioni fiskal, në shkurtimin e taksave dhe reduktimin e tyre. Në vëmendje të kryeministrit ishte dixhitalizimi dhe reforma fiskale. Berisha tha se do të ketë ulje drastike të çmimit të internetit ndërsa të gjitha institucionet do kenë kabinete elektronike. Burokracia shqiptare, sipas kryeministrit duhet të jetë dixhitale. “Apel për të shtrirë në të gjitha institucionet e vendit kabinetet elektronike, për të reduktuar në mënyrën më të ndjeshme shpenzimet e panevojshme. Gjatë këtij viti ka qënë thelbësore motoja Shqipëria në moshën dixhitale. Për sa i përkt internetit mbi 50 përqind e shqiptarëve e përdorin atë, gjatë viteve që vijnë dalim mbi mesataren evropiane. Shqipëria dixhitale është një ëndërr e bukur një ëndërr e madhe një ëndërr e Shqipërisë vend i zhvilluar, mosha dixhitale faktori kryesor i modernizimit. Gjatë muajve të ardhëshëm pritet rënei dramatike e çmimt të internetit”- u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë u ndal edhe tek teknologjia 3G, fushë për të cilën po bëhen studime më të avancuara, sic tha Berisha. “Teknologjia 3G pas lëshimit të licencës së parë sot është dominuese. Po bëhen përpjekje për t’i hapur rrugë studimeve me të avancuara në këtë fushë. Agjencia e rregullimit të këtij tregu me një punë serioze në bashkëpunim me ministrin e Inovacionit bën realitet portabilitetin e numrit, gjë e cila iu jep mundësi qytetarëve të përzgjedhin kompaninë më të mirë për ta”- tha Berisha. Duke folur me tarifat celulare, kryeministri Berisha u shpreh se çmimet duhet të vazhdojnë të ulen. “Ka një rënie edhe në çmimet e sms edhe në thirrje, por jo aty ku duhet. Autoriteti i Kontrollit po ushtron kontrolle që të vendosen norma të pranueshme”, shtoi Berisha. Përveç shtrirjes së internetit, kryeministri Berisha tha se po vazhdon edhe revolucioni fiskal, ku përmendi heqjen e taksës doganore për fasonistët, përgjysmimin e akcizës së birrës, etj. “Revolucioni fiskal është revolucion që vazhdon, ka të bëjë me lirinë e tregut. Ne sot heqim taksën doganorë për të gjitha importet e industrisë së konfeksioneve. Buxhetit do ti mungojë 1 mld lekë por nga ana tjetër kjo industri do të ketë rritje. Përgjysmuam akcizën e birrës, e kemi hallin tek qytetarët dhe sipërmarrësit. Hiqet taksa e importit dhe e shitjes së makinave”- tha më tej Berisha. Kryeministri u shpreh se do të ketë edhe një taksë tjetër dhe ajo është taksa mbi karburantin, apo taksa e karbonit që sigurisht është në favor të mjedisit dhe mbrojtjes së shëndetit të çdo njeriu. Do ketë një taksë mbi karburantet, kjo për të mbrojtur mjedisin. Do mbrojmë shëndetin tonë, jetën tonë. Taksa e karbonit e tëra do të kalojë për mbjelljen e drurëve frutorë dhe ullishteve”- tha më tej kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›