E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti Evropian: Të respektohet vendimi i Kolegjit Zgjedhor

13-07-2011 / Gazeta 55

Eurodeputetët në një zë, shprehin një ndjenjë çlirimi që këto zgjedhje mbaruan. Sipas tyre, vendimi i Kolegjit Zgjedhor duhet respektuar nga të gjithë dhe shpresojnë që t’i jepet fund konfliktit për zgjedhjet. Eurodeputeti grek Nikolaos Chountis, thotë se “tani jemi njohur me një vendim të instancave gjyqësore, i cili duhet respektuar nga të gjitha palët”. “Tani kemi një vendim të instancave gjyqësore. Uroj dhe shpresoj, që ky konflikt për rezultatin e zgjedhjeve të mbarojë në një moment. Duhet të mbarojë, sepse nuk mund të vazhdojë kështu pa fund. Shpresoj që konflikti të mbarojë për t’ia lenë vendin një faqeje të re, apo një kapitulli të ri. E uroj këtë sinqerisht për Shqipërinë”- u shpreh ai.
Kreu i delegacionit për Evropën Juglindore në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan tha se është lajm i mirë për Parlamentin Evropian, finalizimi i procesit zgjedhor në Shqipëri. Ai apeloi që, e gjithë klasa politike të njohë rezultatin dhe Shqipëria t’i kthehet normalitetit politik. “Nga njëra anë është lajm i mirë që procesi zgjedhor mbaroi, por nga ana tjetër ne duam të shohim që fundi i këtij procesi të sjellë qetësi në situatën politike në Shqipëri dhe këtë nuk po e shohim ende. Ajo për të cilën Shqipëria ka nevojë pas këtyre zgjedhjeve, është që të gjithë të njohin rezultatin dhe të rifillojë jeta normale politike në vend”- u shpreh Kukan. Ai kërkoi respektimin e vendimit të Kolegjit Zgjedhor si dhe njëherazi nisjen nga puna të tryezës së partive politike për hartimin e reformës së re elektorale. Lidhur me animimin e Partisë Socialiste në Komisionin e Venecias, Kukan thotë se opinioni i Venecias nuk mund të ndryshojë vendimin e Kolegjit, por thjesht ka vlerë këshilluese mbi legjislacionin. “Komisioni i Venecias ka si rol për t’u shprehur mbi interpretimin e legjislacionit ose për të dhënë një opinion lidhur me të. Mendoj, se kur ky Komision të shprehet mbi zgjedhjet lokale në Shqipëri, duhet të jetë elementi i fundit për të normalizuar procesin zgjedhor në Shqipëri. Por nuk mund të ndryshojë vendimin e Kolegjit Zgjedhor, pasi ky është i formës përfundimtare. Opinioni i Venecias mund të përdoret për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme, pasi ato do të mbahen pas dy vitesh”- u shpreh më tej eurodeputeti Kukan.
Opinioni i Komisionit të Venecias mund të shërbejë në këtë rast për përgatitjen e zgjedhjeve në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare, pasi para zgjedhjeve lokale, ne ju kemi rikujtuar, se kishte 32 rekomandimet të ODHIR-it dhe se ato duhet të ishin përfshirë, për të mos përsëritur sërish historinë e zgjedhjeve të kontestueshme në Shqipëri. Asgjë nuk u bë në këtë drejtim. Pra, këto rekomandime duhen zbatuar së bashku me opinionin e Komisionit të Venecias për të ndryshuar legjislacionin në mënyrë që të ndryshojmë historinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Në të njëjtën linjë shprehet edhe Jelko Kaçin, kur thotë se shteti ligjor primon në çdo shtet dhe se vendimet e instancave të pushtetit gjyqësor janë detyrimisht të pranueshme. “Imazhi i një vendi nuk lidhet vetëm me perceptimin nga jashtë, por ka të bëjë shumë më tepër me bashkëjetesën brenda vendit. Pa këtë besim te njëri tjetri nuk mund të ketë progres. Së dyti, shteti ligjor primon në çdo shtet dhe rrjedhimisht vendimet e instancave gjyqësore janë detyrimisht të pranueshme dhe zbatueshme. Opinionet e organizmave europianë do të ndihmojnë për zgjedhjet e ardhshme.

Fokusi i Shqipërisë është perspektiva Evropiane
Eurodeputetët shprehen se ngërçi politik që krijohet pas çdo palë zgjedhje në Shqipëri, duhet të marrë fund njëherë e mirë, në mënyrë që vendi të fokusohet te procesi i integrimit. Sipas kryetarit të delegacionit për Evropën Juglindore në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan, dialogu politik mes aktorëve është i rëndësishëm për implementimin e reformave. Sipas tij, Shqipëria duhet të ketë gati kuadrin e reformave me 12 rekomandimet e Komisionit Evropian, në mënyrë që të marrë statusin e vendit kandidat në BE. “Kur themi rifillimi i jetës normale politike, kjo do të thotë dialog politik midis aktorëve politikë, që të zgjidhen çështjet që janë të rëndësishme për vendin. Janë 12 rekomandime të Komisonit Europian dhe nuk e di nëse dikush po diskuton dhe shqetësohet për këto. Ky është rifillimi i jetës normale politike.
Kjo nuk po ndodh dhe kjo po plagos vendin dhe popullin shqiptar dhe është për të ardhur keq”- u shpreh eurodeputeti Kukan. Po ashtu, edhe Nikolaos Chountis vëren se politika duhet të mendojë më shumë për qytetarët shqiptarë dhe problemet e tyre. “Është momenti për të gjithë politikanët në Shqipëri që të zgjidhin probleme më serioze për qytetarët shqiptarë, siç janë problemet ekonomike dhe të drejtat sociale për të mirën e popullit shqiptar. Të gjithë presin, që Shqipëria të rifillojë jetën normale politike”- tha eurodeputeti grek, Chountis.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›