Berisha Drejt nje mandati tjeter ne 2013. Blloku sdo te rilinde kurre
15 mijë banorë të lagjes 13 në Durrës, zonës më të etur për ujë në 20 vitet e fundit në qytetin bregdetar, do të furnizohen 24 orë me ujë të pijshëm. Në inaugurimin e rindërtimit të plotë të këtij rrjeti të ujësjellësit mori pjesë edhe kryeministri Berisha i cili i siguroi qytetarët e Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, se këto investime do të vazhdojnë.
“Në këto vite të qeverisjes sonë, ne kemi investuar në furnizimin me ujë, të qytetarëve shqiptare, mbi 500 milionë dollarë. Ne ia kemi dalë që sot rreth 97 për qind e të gjithë qytetarëve të vendit të furnizohen me ujë të rrjedhshëm, natyrisht, jo 24 orë, por të rrjedhshëm. Objektivi ynë është të ecim me shpejtësi drejt garantimit të furnizimit të tyre me ujë, 24 orë. Sistemi i furnizimit me ujë dhe i kanalizimeve janë ndër veprat më të kushtueshme, por janë edhe më jetiket për komunitet tona”, vuri në dukje Berisha.
Kreu i qeverisë i informoi shqiptarët se janë 60 projekte të financuara për sistemet e kanalizimeve të vendit. 14 projekte të tjera janë në ndërtim e sipër për pastrimin e ujërave të zeza. Sipas tij, ky përkushtim i qeverisë shqiptare është i besueshëm në sytë e qytetarëve pasi është realist dhe konkret, jo si ata që propagandojnë rilindjen e bllokut komunist.
“Të kalosh nga një dyqan në tjetrin, duke u betuar se do t’u heqësh taksat, ndërkohë që je njeriu, i cili, kur ishe kryetar i Bashkisë së Tiranës, i rrite ato nga 67 mijë lekë që i gjete, në 147 mijë lekë, nuk bën gjë tjetër veçse u paraqet qytetarëve hijen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sepse Rama i vërtetë është Rama i rritjes së taksave. Hijeve askush nuk u beson”, deklaroi Kryeministri.
Shefi qeverisë i kujtoi shqiptarëve se ndryshimet për një Shqipëri të zhvilluar dhe europiane do të vazhdojnë pavarësisht se kryetari i partisë socialiste nuk njeh politikë tjetër përveç bllokimit.
“Por politika e bllokimit, e cila mori ndëshkimin e vet në zgjedhjet e vitit 2011, sërish do të përballet në qershorin që vjen, me politikën e ndërtimit, me vizionin e ndryshimit. Jam i sigurt se qytetarët shqiptarë nuk do të lejojnë të vendosësh edhe një herë, para zyrave të taksave të këtij vendi, bustin e dajës tënd të dashur Spiro Koleka”, deklaroi Berisha.
Durrësi është shembulli i qytetit që tregon se ky bllokim nuk funskionoi, pasi nga 8000 biznese që ka patur para disa vitesh, sot ka 16 mijë e 200 biznese. Nga 450 biznese turizmi, sot janë 1100 biznese të tilla. Në këtë rreth janë asfaltuar gjatë këtyre viteve, 540 kilometra rrugë, janë ndërtuar e rindërtuar 64 shkolla, janë ndërtuar 104 qendra shëndetësore. Dhe të gjitha këto janë tregues se shqiptarët duan të votojnë për veten e tyre, ku të jetojnë si qytetarë të një vendi të zhvilluar.