Berisha: Ecim të sigurtë drejt mandatit të tretë, atyre le t’u lëmë ngjalat
Kryeministri Berisha vizitoi ambientet e kompanisë së përpunimit të peshkut “Koral”, në Durrës: Sektori i peshkimit përbën një potencial të madh zhvillimi në ekonominë shqiptare
Prodhimi dhe përpunimi i peshkut është një tjetër sektor me mjaft peshë në industrinë agro-përpunuese. Për tu njohur më nga afër me praktikën e punës, Kryeministri Berisha vizitoi sot ambientet e kompanisë “Koral” në Durrës, e cila merret me importimin dhe përpunimin e peshkut të cilin e eksporton në Itali. Pas inspektimit të ambienteve moderne të kësaj kompanie, Kryeministri Berisha përshëndeti përzemërsisht drejtuesit e saj, të cilët me punën që kanë ngritur kanë kapur tregjet botëror duke përpunuar rreth 2400 ton peshk dhe punësuar 103 punonjës dhe kanë një perspektivë reale për rritjen e mëtejshme të numrit të të punësuarve. Duke u ndalur tek peshkimi, Kryeministri Berisha u shpreh se, - ky sektor përbën një potencial të madh zhvillimi në ekonominë shqiptare. Kryeministri u shpreh se, qeveria është e vendosur që në katër vitet që vijnë të ketë një plan kombëtar për peshkimin. Gjithashtu kryeministri Berisha shprehu besimin e qeverisë, për ridimensionimin dhe mbështetjen e fuqishme në këtë sektor, e cila parashikon shumëfishimin e numrit të të punësuarve, shumëfishimin e të ardhurave nga ky sektor dhe shndërrimin e peshkimit në një degë serioze të ekonomisë shqiptare. “Mandati i ardhshëm është mandati i Shqipërisë së zhvilluar. Reformat e reja, të cilat ne kemi ndërmarrë këto muajt e fundit dhe do të ndërmarrim fill pas zgjedhjeve janë dhe do të jenë një tjetër nxitje e madhe e fuqishme për rritjen ekonomike, për rritjen e të ardhurave për rritjen e punësimit. Le të ecim ne drejt mandatit të sigurt, drejt mandatit të tretë, tu lëmë atyre ngjalat që unë sapo i pash poshtë”, - u shpreh kryeministri Berisha.
...