E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Edi Rama bllokoi për 11 vjet ndërtimin e Xhamisë së Tiranës

03-04-2013 / Gazeta 55

Kryeministri: Xhamia e re që do të ndërtohet në zonën e Namazgjasë, kryevepër arkitekturore që do të pasurojë vlerat e kryeqytetit
 
Kryeministri Berisha bëri të ditur sot në Mbledhjen e Këshillit të Ministrave miratimin  e vendimit për dhënien e pronës për ndërtimin e Xhamisë së madhe të kryeqytetit, e cila do të vendoset në zonën e Namazgjasë. Më konkretisht vendimi është “Për kalimin e një sipërfaqeje truall, pronë shtetërore, në fondin e kompensimit fizik dhe kompensimin e komunitetit Mysliman Shqiptar, si dhe për një ndryshim në vendimin nr 834, datë 13.12.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Listës së Pjesshme (pjesa e parë+pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme shtetërore, në Bashkinë Tiranë, të qarkut të Tiranës”

Kryeministri përshëndeti marrëveshjen e arritur mes Bashkisë së Tiranës, familjeve tiranase, pronare të truallit dhe komunitetit mysliman, që në bashkëpunim arritën të finalizojnë një proces shumë të rëndësishme për ngritjen e xhamisë së kryeqytetit.

Kryeministri tha se ngritja e Xhamisë së re pas një bllokimi 11 vjeçar tendencioz të saj nga ish kryetari i Bashkisë së Tiranës, shënon ndarjen përfundimtare nga periudha shkatërrimtare e institucioneve të kultit, e cila do të mbetet në analet  e historisë si barbaria më e egër ndaj kulturës ehe besimeve fetare shqiptare. “Pas një bllokimi 11 vjeçar, zemërlig dhe tendencioz, nuk mund të them se u bllokua për arsye religjioze, se një njeri që pagëzohet tre herë në tetë vjet, e ka të vështirë të ketë besim fetar. Besimi i vetëm është xhepi në këtë rast, sepse nga vakëfi, nga trualli nuk mund të fitojë asgjë dhe e bllokoi për 11 vite me radhë. Por Zoti është i madh, i jep secilit atë që meriton, kështu që procesi u cbllokua, familjet tiranase me mirësi dhe me mirëkuptim arritën në marrëveshje me komunitetin dhe kjo dha mundësi të zgjerohet trualli i Xhamisë.”

Duke e cilësuar Xhaminë një kryevepër arkitekturore, kryeministri Berisha i cili është njohur nga afër me projektin e saj, nga vetë arkitekti  i Xhamisë, u shpreh se ajo do të vijë për besimtarët  me të gjithë strukturën e përshtatshme, si një ndërtim madhështor, i cili do të zbukurojë edhe më shumë kryeqytetin.

Kryeministri garantoi besimtarët dhe komunitetin mysliman se pas marrjes së këtij vendimi do të mblidhet Këshilli Kombëtar i Territorit dhe do të përgatitet dokumentacioni përkatës në mënyrë që ajo të fillojë ndërtimin në kohën më të shpejtë të mundshme.

Duke folur mbi këtë vendim , kryeministri Berisha u shpreh:

Kryefjala  e mbledhjes së sotme është vendimi për pronën dhe ndërtimin e xhamisë së madhe të kryeqytetit. Pas një pune shumë serioze të bërë nga Bashkia e Tiranës, komuniteti mysliman, udhëheqja  e këtij komunitetit  është finalizuar gjithçka për ndërtimin në zonën e Namazgjasë, të Xhamisë më të madhe të Kryeqytetit.

Unë kam patur rastin të takoj arkitektin e famshëm të projektit të kësaj xhamie, arkitekt ky që ka ndërtuar kryevepra të kësaj arkitekture dhe arti, në mbarë botën. Ai më paraqiti mua një projekt madhështor, dinjitoz  për kryeqytetin e Shqipërisë.

Pas një bllokimi 11 vjeçar, zemërlig dhe tendencioz, nuk mund të them se u bllokua për arsye religjioze, se një njeri që pagëzohet tre herë në tetë vjet, e ka të vështirë të ketë besim fetar. Besimi i vetëm është xhepi në këtë rast, sepse nga vakëfi, nga trualli nuk mund të fitojë asgjë dhe e bllokoi për 11 vite me radhë. Por Zoti është i madh, i jep secilit atë që meriton, kështu që procesi u cbllokua, familjet tiranase me mirësi dhe me mirëkuptim arritën në marrëveshje me komunitetin dhe kjo dha mundësi të zgjerohet trualli i Xhamisë. Kjo marrëveshje ishte shumë e rëndësishme dhe vendi do të ketë një Xhami më të madhe. Në këtë mënyrë, me këtë ndërtim mund të them se në një farë mënyre ndahemi nga periudha shkatërrimtare e institucioneve të kultit, periudhe që do të mbetet në analet  e historisë, si barbaria më e egër ndaj kulturës ehe besimeve fetare shqiptare

Xhamia do të jetë me të gjitha lehtësirat dhe mundësitë për besimtarët që të luten. Do të ketë një kapacitet të madh do të jetë një kryevepër vepër arkitekturore , me të cilën qyteti i Tiranës do të pasurohet, siç u pasurua me dy Katedralet që u ringjallën pas rrënimit të tyre. Njëra ka qenë aty ku është sot Hotel Tirana dhe ajo ishte katedralja më e madhe ortodokse e kryeqytetit. Tjetra ka qenë aty ku ishte dikur Hotel Peza, pasi tani nuk është më se ka destinacione të tjera, por ajo ishte nje katedrale katolike shumë e bukur. Tani fillon ndërtimi i Xhamisë së madhe, gradualisht po përfundon edhe Teqeja me e madhe, tempulli i bektashinjve. Kënaqësia ime e madhe është se kjo ringjallje filloi me ne, ishte një ringjallje tërësore, fetare dhe e vlerave në tërësi.

Do të tregoj këtu një histori shumë interesante. Të më fale personi për te cilin bëhet fjalë se do ta tregoj pa i marrë leje, por dua të them se ai është një njeri shumë i nderuar sot. Në vitin 90 , në dhjetor, pas themelimit, në Tiranë kishte një hezitim për hapjen e xhamisë, pasi sërish kishte terror. Ne morëm vendimin që do të kontribuojmë në hapjen e saj. Për këtë qëllim u vendos një arkë aty dhe njerëzit hidhnin nga 5 ose 10 lekë të vjetra. Në fund arka shkoi në destinacionin  e vet. Pyeta se kush e mori dhe më thanë se e mori një mësues i marksizmit. Kërkova që ta takoj atë dhe ai më tha: “Unë vërtetë kam dhënë marksizëm, por ka shumë vite që studioj Kuranin dhe besimi im është Kurani dhe në të vërtetë ai është një burrë shumë i nderuar, i cili dha një kontribut real në procesin e ringjalljes fetare. Parimi ynë ishte shumë i drejtë dhe ky parim funksionoi, nga një vend ateist i imponuar me Kushtetutë, ne dolëm me moton aty ku ka 4 të krishterë të ketë një Kishë, aty ku ka 4 myslimanë të ketë një Xhami, aty ku ka 4 bektashinj të ketë një Teqe, e shprehur kjo në mënyrë simbolike. Pra ne vendosëm këtë moto në mënyrë që mund të mos ketë asnjë lloj kufizimi dhe shqetësimi në përpjekjen për ringritjen dhe e vërteta është që udhëheqësit shpirtëror të këtij kombi janë njëkohësisht edhe udhëheqësit e një ringjallje të vërtetë shpirtërore.

 Edhe njëherë unë dua të përshëndes marrëveshjen që bëri të mundur sot, këtë vendim ku ne japim një sasi të mirë trualli të merituar komunitetit mysliman ku ne japim një sasi trualli, në mënyrën më të merituar komunitetit mysliman dhe marrëveshjen që u arrit midis Bashkisë së Tiranës dhe udhëheqjes së komunitetit mysliman si dhe familjeve pronare që kishin territor aty, që bënë të mundur të hapnin rrugën për ndërtimin e xhamisë më të madhe të vendit në kryeqytetin e Shqipërisë.

Unë dua të garantoj besimtarët, komunitetin se pas këtij vendimi, menjëherë do të mblidhet Këshilli Kombëtar i Territorit dhe do të jepen të gjitha dokumentet në mënyrë që ajo të fillojë në kohën më të parë të mundshme ndërtimin. Me sa di unë arkitekti ka finalizuar projektin dhe është në kontakt të vazhdueshëm me komunitetin mysliman. Ne këtë mënyrë ne i hapim rrugën një ndërtimi madhështor, që do të zbukurojë shumë kryeqytetin e vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›