E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Edi Rama si diktatori Hugo Chavez, programi i PS tërësisht anti-privatizim”

18-09-2012 / Gazeta 55

Kryeministri: Heqja e imunitetit në interes të qytetarëve shqiptarë

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat se heqja e imunitetit që pritet të votohet sot në Kuvend, nuk është për kredibilitet politik, por si interes primar i qytetarëve shqiptarë. Kreu i qeverisë tha se kjo seancë e shkëlqyer i bën shumë nder parlamentit shqiptar, për standardin e transparencës që ka vendosur dhe për përgjegjësinë me të cilën u shprehën aty mendimet, lidhur me imunitetin. “Një seancë që i bën shumë nder parlamentit, për standardin e transparencës që ka vendosur dhe për përgjegjësinë me të cilën u shprehën aty, mendimet. Pritet që në ditët që vijnë, të votohet imuniteti, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë. E kam theksuar dhe e theksoj se në 10 vjet betejë, ajo kurrë nuk është bërë për qëllime të kredibilitetit partiak, sepse ndryshimet kushtetuese nuk mund të jenë ndryshe, edhe po t’i kesh votat, veçse konsensuale. Ai që fiton është vendi dhe ky, mendoj se është mesazhi më i duhur që ne u dërgojmë qytetarëve shqiptarë, në radhë të parë, për vendosmërinë tonë për të hedhur hapa të rëndësishëm drejt barazisë para ligjit, vendosmërinë tonë për të qenë të hapur për hetim, ndaj korrupsionit dhe krimit të zakonshëm, si vendosmërinë tonë për t’u përcjellë mesazhin më pozitiv partnerëve tanë, ndaj të cilëve kemi detyrime të jashtëzakonshme, sepse kurrë ndonjëherë në historinë tonë mijëravjeçare, nuk kemi pasur solidaritet ekonomik, financiar e njerëzor, si në këtë periudhë. Mendoj se në një mënyrë edhe kjo është dëshmi e mirënjohjes, pasi nuk ka mënyrë më të shkëlqyer për mirënjohjen, sesa të vendosim njëri pas tjetrit, standardet më të avancuara të tyre”- u shpreh Berisha.
Gjithashtu, shefi i ekzekutivit bëri edhe disa sqarime për disa teza apo konkluzione të artikuluara nga kryetari i opozitës, lidhur me nivelin e korrupsionit në vend apo koncesionet dhe privatizimet që po realizohen nga qeveria, teza këto të komentuara nga z. Rama, në prezantimin e programit ekonomik të PS-së, disa ditë më parë. Në këtë kuadër, kryeministri Berisha tha se Rama ka nisur një fushatë shpifjesh dhe trillimesh, duke sulmuar biznesin dhe privatizimet. Sipas tij, programi ekonomik i PS-së është i bazuar tërësisht në anti-privatizim sipas platformës së diktatorit të Venezuelës, Hugo Çaves. “Zoti kryetar i opozitës ka filluar fushatën elektorale, për çka e përgëzoj dhe uroj që mos t’i avullojë benzina rrugës. Por e ftoj gjithashtu, që, në këtë fushatë, të lërë mënjanë fabrikën e trillimit që ai i thotë fabrika e mendimit, të cilën në rrafshin ekonomik e udhëheq Shkëlqim Cani, por në hije është Cac Angjeli (Anastas Angjeli) dhe t’i referohet socialdemokracisë evropiane dhe asaj botërore, e cila ka në arkivat e saj, praktika, projekte, alternativa solide. Mirëpo, zoti Rama, më duhet të them me shumë keqardhje, paraqiti në shoë-n e tij mediatik dhe në daljet  e tjera anësore për këtë program, teza që do të thosha, datojnë, në një mënyrë ose një tjetër, nga ekonomistët e vetëadministrimit, tek kaosi i vërtetë ekonomik. Programi i tij ekonomik ishte fund e krye antiprivatizim. Shprehej gëzim i madh se nuk u shitën hidrocentralet në 13 shtator, për të cilat unë njoftoj se do të ketë një tender të dytë, në 25 nëntor. Shprehej tërbim i madh për ofertën e Alpetrolit dhe privatizimin e tij, si dhe deklarata unike e tyre ku thuhej: ”Nuk ka vend që shet të drejtën e shfrytëzimit”. Por a mund të na thonë ata se çfarë është koncesioni? Është shitje e të drejtës për një periudhë të caktuar. Këtë po bëjmë edhe ne. Po e shesim për një periudhë 20 a 25 vjeçare. Por nëse asnjë vend nuk na shitka këtë të drejtë, a mund ta pyesim zotin Rama: Gjigantët botëror të naftës si; Total oil Anchor, Oksi, Shelli, e të tjerë me radhë, ku eksplorojnë, ku nxjerrin naftë, në mars, hënë a në tokë?  Po zoti Rama, po të them se ka një njeri që nuk e shet këtë të drejtë dhe ky është diktatori Hugo Çaves. Ai po bën çdo gjë për të përzënë kompanitë amerikane dhe askush tjetër. Edhe rusët kanë privatizuar dhe kanë korporata të mëdha private në naftë, një prej tyre ishte British Petrolium. T’u thuash të tjerëve se a ka shtet në botë që shet të drejtën e shfrytëzimit në privatizime, kjo tregon se ti ose je i verbuar nga Çavesi, ose nuk e di se ç’do të thotë koncesion. Ndaj dhe ky qëndrim antiprivatizim, është absolutisht në kundërshtim flagrant me atë çfarë kërkohet sot në unison nga ekonomistët e mëdhenj në botë. Në qoftë se ka një rrugë për t’u mbrojtur nga kriza, ajo është privatizimi i ekonomisë, sepse privatizimi i ekonomisë rrit eficencën e menaxhimit dhe rrit konkurrueshmërinë. Pra, tendenca dhe rryma nuk është Çavesi, përkundrazi. Përse 4 vite me radhë Greqisë i kërkohej të privatizonte me çdo kusht e sa më shpejt? Pikërisht për të rritur eficencën e sipërmarrjeve greke, për t’i bërë ato më eficente, më produktive”- tha Berisha. Ndërsa iu kundërpërgjigj akuzave të opozitës se ekonomia po përballet me rrënimin. Për kryeministrin Berisha, Rama ka angazhuar mercenarët krizëndjellës brenda dhe jashtë vendit për interesat e tij politike. “Në një kohë kur kjo ekonomi ka realizuar një rritje katër herë më të madhe, sesa mesatarja e rajonit. Ne do të donin të ishte  12 herë më e madhe, por kaq është dhe faktikisht është me rritje. Mua më vjen keq se lideri i opozitës duhet  t’i bazojë qëndrimet e tij në disa koncepte të pathyeshme.
Ai tani sërish thotë se janë 1 milionë të papunë, për t’i qëndruar besnik pafundësisht Ramiz Alisë. Për ta argumentuar atë, tani kishte marrë dikë të Cipras-it, që i thoshte se unë i njoh të papunët në sy, nuk marr statistikën - absolutisht e vërtetë dhe këtë e thotë vetë një mik. Ai doli bashkë me zotin Rama në bulevard dhe konkluduan se të papunët në Shqipëri janë 50 përqind apo 1 milionë. Zotëri nuk nxore mësim me këto marrëzira! Shkoi dhe mori programin e Veltronit, por zi e më zi shkoi. Shkoi dhe mori programin e Papandreut, edhe më keq doli. Tani merr Cipras-in, por ai nuk është as socialist. Ai është një zhvillim momental për shkak të krizës, nga njerëzit e frustruar, por kombi grek po ndej reformat. Me këtë alternative, mendoj se zoti Rama ishte një sallatë maqedonase, në tërësinë e vet. Kështu quhet salla që bëhet me shumë lloj gjërash. Zoti Rama mendon se me populizma do të mund të ndërtoje alternativën. Por gjeja më kulmore e kësaj fushate ishte takimi i tij me Ferlutin që është Kocoja bizz. Shkoi për të ilustruar politikën e tij tatimore në klubin e miliarderëve të Partisë Socialiste dhe zgjodhi pikërisht atë, se ndër 800 krushqit që ishin në dasmën e tij, buqetën magjike e kishte vetëm Ferluti. Të gjithë çuan lule, por magjike buqetën, me një çelës brenda, e kishte vetëm Ferluti, të cilit  i tha se do të vendoste doganën mbi makinat e përdorura, në mënyrë që ai të shesë makinat e reja dhe më pas garantoi biznesmenët e mëdhenj se do të merrnin më shumë dhe do të jepnin më shumë. Kjo ishte skema që përpunoi me Ferlutin dhe filloi që tani klientelizmin”- tha më tej kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›