E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Edi Rama, skllav i Spiro Kolekës. Në çdo studim, faktohet taksa progresive, si një taksë që nxit shumë evazionin fiskal”

21-02-2013 / Gazeta 55

Tallja e Ramës/I krahason deputetët-karikatura të PS me rilindësit e shquar”

Kryeministri Sali Berisha ironizoi dje në mbledhjen e qeverisë programin e socialistëve  “Për një Rilindje Kombëtare”. Sipas tij, është tallje që deputetët e PS të krahasohem me rilindësit e shquar shqiptarë. Kryeministri Berisha vuri përballë alternativës së qeverisë, atë të opozitës, të promovuar nga kryetari i saj, Edi Rama. Sipas Berishës, me taksën progresive, Rama është skllav i dajës së tij, Spiro Koleka. “Dallon si nata me ditën, me konceptin tjetër që edhe dje faktoi se është skllav i thjeshtë i ‘dajkos’ së tij. Le të thotë sa të dojë se nuk është nipi i Spiro Kolekës, me taksën e tij progresive është i biri, direkt. Unë e di që taksa progresive nuk është shpikje e Kolekës, por është e Marksit, por në Shqipëri e instaloi Koleka dhe ky zotëri në vend që ti largohet asaj e mbron atë. E mbron atë me një mashtrim të shumëfishtë. U thotë qytetarëve se infermieri paguan taksa njëlloj si kryeministri. Në fakt infermieri paguan taksa, pesë herë më pak se kryeministri. Për të njëjtën taksë, në qoftë se rroga e kryeministrit është 5 herë më e madhe, zotëria që ka në kokë vetëm matematikën e Ramiz Alisë dhe statistikën e Barjabës e kishte shkruar traktatin e mashtrimit me Fatmir Xhafën, pra ky zotëri i thotë qytetarëve se si infermieri ka mundësi të paguajë taksa sa kryeministri, që në fakt është një gënjeshtër me bisht sepse 10 për qind i rrogës së kryeministrit që është 5 herë më e madhe se rroga e infermierit, ky 10 për qind është 5 herë më i madh për kryeministrin. Kjo është e vërteta dhe ky mendon ti nanurisë njerëzit, ti mashtrojë. Sepse tre elementë ka, së pari që borxhi të llogaritet si përqindje e GDP-së, dhe borxhi të llogaritet nga banka. Falja Zot se nuk di se ç’thotë, por borxhin me ligjet e këtij vendi e llogarit vetëm banka dhe e shpall përqindjen e vet, vetëm si përqindje të GDP-së. Së dyti, u thotë taksën Koleka. Dhe së treti se infermieri e paguan taksën sa kryeministri, ndërkohë që infermieri paguan 5 herë më pak se kryeministri. Kjo është taksa proporcionale”, deklaroi Berisha. 

Kryeministri Berisha e vlerësoi si tallje nga ana e Ramës që deputetët e PS të krahasohen me rilindësit e shquar. “Imagjinoni ju, paraqet rilindësit e tij, Anastas Angjelin në vend të Papa Kristo Negovanit. Gramoz Ruçin në vend të Koto Hoxhit. Bashkim Finon e ka në vend të Abdyl Frashërit. Erion Velinë në vend të Dervish Himës. Kjo është alternativa. Po të servirësh Cacin për Papa Kriston. Finon për Koto Hoxhin, kjo është ta tallesh me veten se nuk ka shqiptar që të besojë tek kjo ekuivalencë. Po veten me kë e krahason ai?”, theksoi Berisha. 

Kryeministri konkludoi se dy alternativat, ajo e qeverisë nga njëra anë dhe alternativa opozitare janë krejtësisht të ndryshme. “Pra këto janë 2 alternativat krejtësisht të ndryshme. Ai vjen me një kaos të vërtetë, kurse ne me vendime të qarta si kristali. Ne i bëjmë realitet vendimet tona”, tha ai.

Kryeministri theksoi se qeveria dhe ekspertët e saj në fushën e financave janë dhe do të jenë gjithmonë kundër taksës progresive, e cila është taksa e urrejtjes klasore. “Në çdo studim, taksa progresive faktohet si taksë që shkatërron me dhjetëra e mijëra vende pune. Në çdo studim, faktohet taksa progresive, si një taksë që nxit shumë evazionin fiskal”, tha kryeministri. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›