“Shkëmbimet tregtare, të favorizuara nga klima shumë e mirë mes dy vendeve tona”

Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl pret Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli
“Niveli i lartë i marrëdhënieve politike dhe rrënjët e thella të miqësisë, themeli i bashkëpunimin në të gjitha fushat”
Në Pallatin Presidencial turk, Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl priti Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli në një takim shumë miqësor, ku në bisedën e hapur, u theksua se niveli i lartë i marrëdhënieve politike dhe rrënjët e thella të miqësisë, përbëjnë themele të shkëlqyera për të dinamizuar më shumë bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Dy personalitetet, duke shprehur rëndësinë e takimeve të tilla të nivelit të lartë, pohuan se mes dy vendeve tona mike ka ende mjaft potenciale për t’u aktivizuar. Shkëmbimet tregtare me Turqinë, të favorizuara nga klima shumë e mirë që ekziston midis dy vendeve tona, njohin stabilitet dhe me tendencë gjithmonë në rritje dhe vitet e fundit, shkëmbimet ekonomike janë shumëfishuar.
Kryetarja e Kuvendit Topalli e njohu Presidentin Gyl me reformat e gjithanshme që Shqipëria ka realizuar, duke bërë gjithçka për përshpejtimin e realizimit të ëndrrës së madhe, bashkimin me familjen europiane. Presidenti Gyl i shprehu Kryetares së Kuvendit vlerësimin më të lartë për përparimin e dukshëm gjatë kësaj periudhe në Shqipëri, duke nënvizuar se reformat e bëra kanë nxitur sipërmarrësit turq për investime. Presidenti Gyl theksoi se interesi i biznesit turk është gjithnjë e në rritje për të qenë edhe më prezent në Shqipëri. Kryetarja e Kuvendit Topalli falënderoi Presidentin Gyl për mbështetjen e diplomacisë turke në mbështetje të çështjes së Kosovës. Presidenti Gyl dhe Kryetarja e Kuvendit shprehën kënaqësinë e tyre se midis dy vendeve ka një bashkëpunim në rritje edhe në fushën ushtarake, në arsim, mjekësi, por edhe në kulturë e turizëm.
...