Berisha: Editorialet e Ramës si veprat e Enverit

Sali Berisha
Kreu i mazhorancës Sali Berisha ka folur mbi editorialet e kryetarit të opozitës dhe i ka cilësuar ato me veprat e Enver Hoxhës. Ndaj dhe le ti themi shokut, i cili është ngritur tani e po shkruan vepra – së shpejti do të botojë letrën e hapur për Enver Hoxhën ku i thotë se Shqipërinë e bllokova për tu anëtarësuar në Evropë, ishte komenti i Berishës.
Kreu i qeverisë bërë këtë koment nga Elbasani ku inauguroi rrugën Qafë Rrenas Labinot Mal, me gjatësi 8 kilometra. Berisha duke folur me banorët e zonës për zhvillimin e bujqësisë, u kërkoi që të ndërmerret një nismë për shumëfishimin e drurëve frutorë.
Tek po vija këtu, rruga nga njëra anë ishte me hardhi, nga ana tjetër gardh ferrash. Zoti kryetar, le të ndërmarrim një nismë, të mbjellim e të shumëfishojmë drurët frutorë. Aty ku janë ferra le të ngremë ne gardhin e lajthive ose të hardhive. Në çdo vend, në çdo pëllëmbë tokë, le të shohim si mund të përfitojmë prej saj, tha Berisha.
Deklarata është pak a shumë e ngjashme me atë që tha Nikia Krushov në maj të vitit 1959 pasi i kishte rënë në sy mungesa e drurëve frutorë.
Berisha ka vijuar më tej duke thënë se ju jeni një zonë e mrekullueshme arrore, zonë ku gështenja, arra e lajthia bëhen të cilësisë më të mirë. Për ne nuk ka një pëllëmbë tokë për tu braktisur, nuk ka një fshat dhe një komunë për tu braktisur. Ne së bashku do të bëjmë që shpatet, luginat, tokat e çdo komune dhe çdo fshati të shndërrohen në kopshtin më të bukur, të shumëfishohet prodhimi dhe të ecim drejt mëkëmbjes.