Berisha: “Ekonomia shqiptare me rritje të sigurt, do mbetemi vend i taksës së sheshtë”
Kryeministri Berisha përshëndet konferencën e përvitshme me investitorët e huaj
Në konferencën e përvitshme me investitorët e huaj, kryeministri i vendit Sali Berisha u shpreh se mbështetja që kjo qeveri i ka dhënë investitorëve ka mbajtur vendin larg krizës ekonomike botërore. Kreu i qeverisë i bëri thirrje biznesit të huaj të rrisë investimet në Shqipëri, pasi siç tha ai, qeveria do sigurojë lehtësirat maksimale për investim. Duke u ndalur kryesisht te zhvillimet ekonomike në vend, kryeministri informoi se në tremujorin e tretë që lamë pas, rritja ekonomike e vendit ishte 2.7 për qind. “Qeveria ka vlerësim për investitorët e huaj, të cilët kanë ndikuar të jemi jashtë recensionit dhe kanë ndikuar në rritjen ekonomike të Shqipërisë, tha kryeministri, ndërsa shtoi se në tremujorin e vitit që lamë pas rritja ekonomike e vendit ishte 2.7 për qind”. “Falë mbështetjes së dhënë nga qeveria shqiptare, siç tha Berisha, në një kohë të vështirë për financat dhe ekonominë perëndimore, me punën, përkushtimin, projektet dhe investimet e huaja, ekonomia shqiptare ka një rritje të sigurt”, shtoi ai. Duke folur për mbështetjen që i bëhet investitorëve, Berisha nënvizoi se taksimi i kapitalit është i padrejtë, prandaj u shpreh se taksa më optimale mbetet taksa e sheshtë. “Në këtë kohë krize taksa e sheshtë është taksa më pranë optimales, ajo ndikon në zhvillimin ekonomik të një vendi”. Ndërsa duke folur për taksën progresive Berisha tha se ajo përmban, “Ide të destinuara për të mbetur të mykura në arkiva”. Shqipëria sipas tij, “ka qenë është dhe do mbetet vend i taksës së sheshtë”.
...