Darka e Ngrirë” e Anastas Angjelit

Kryeministri Berisha ironizon në Facebook mbi atë që ai e cilëson “darka e ngrirë”, me protagonistë Anastan Angjelin dhe Edi Ramën. Sekretari për Ekonominë dhe Financën në PS, i njohur me nofkën Caci ishte organizator i darkës ose e thënë ndryshe e dasmës së “emrit”, nga ku priste lartësimin e figurës së tij nga kreu i PS, Edi Rama si njeri i “shkëlqyer i financave socialiste”. Por, surpriza ishte rezervuar në fund..., aty ku doli se gjeniu në fjalë, gjysma më e mirë e Edi Ramës nuk ishte organizatori i darkës, por as më shumë e as më pak, vetë Linda Rama. Kryeministri e përshkruan këtë si moment tragjik për Angjelin, i cili nga një gjendje dëliri dhe ekstaze, po i dukej se i kishte rënë jo tavani, por hoteli mbi kokë...
Komenti i Berishës në Facebook
“Të dashur miq! Një rrëfenjëz për ‘darkën e ngrirë’! Kështu e quajtën mediat në gazetën e gossip-it të tyre të kafeneve të kryeqytetit, darkën që Sekretari për Ekonominë dhe Financën i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli, (Caci) shtroi në Sheraton ditën e emrit të tij, që për shpenzimet dhe të ftuarit mund të quhej dasma e emrit! Sipas zakonit, Caci, te cilit me shume hije i ka kuleta se fjala, falënderoi të ftuarit, ngriti dollinë dhe u ul duke pritur me padurim dhe emocion elozhet e kryetarit te tij z. Rama. Pas pak kohe, z. Rama u ngrit, falënderoi me përzemërsi Cacin për ftesën dhe, ndër të tjera, tha: Të dashur miq, unë kam fatin e madh të mësoj të këshillohem e të frymëzohem çdo ditë për çështjet madhore të ekonomisë dhe financave, në këtë kohë krize rrënuese, nga një personalitet i shquar, i rrallë, me njohuri të nivelit më të lartë në këto fusha.
Të gjithë sytë e të ftuarve ishin drejtuar si prozhektor te Caci!
Vetë atij i vërshoi adrenalina nga rrënjët e flokëve tek gishtërinjtë e këmbëve. Ai po përjetonte një gjendje më shumë se ekstaze që nuk e kishte provuar kurrë më parë. Me gotë në dore u ngrit i përgjëruar dhe gjysmë ndenjur në respekt të shefit të tij. Mirëpo, papritmas gjithçka në qenien e tij ngriu, madje ngrinë edhe krushqit, kamerieret, sazet dhe darka, përveç gotës së dollisë që sa si ra nga dora dhe u bë copa në momentin kur shefi i tij tha se personi apo gjeniu në fjalë ishte gjysma e tij më e mirë, pikërisht zonja Basha. Ç’pate? - i tha bashkëshortja Cacit. Hiç hiç, gotën ma morën duartrokitjet, u përgjigj ai, ndonëse i dukej se i kishte rënë jo tavani, por hoteli mbi kokë!”.