“Ndarja e mandateve do kryhet sipas vitit 2009”
Në Komisionin e ligjeve referojnë kryetarja e KQZ Lleshi dhe nënkryetari Biba
Komisioni i ligjeve vendosi vetëm me votat e shumicës që Kuvendi të ndajë mandatet sipas vitit 2009. Deputetët e PS-së në komision votuan kundër ndërsa mbledhja u shoqërua me debate mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës. Deputeti i PS-së Damian Gjiknuri theksoi se ndarja e mandateve si në vitin 2009 nuk respekton kriterin e barazisë ndaj ligjit. “Mandatet nuk janë pazare politike, ka afat deri me 7mars për ndarjen e tyre. Po kërkoni të bëni një lojë vetëm të një pale,me këtë njëanshmëri po njollosni zgjedhjet. Kuvendi po luan si kasap politik. T’ia lëmë KQZ-së vendimin përndarjen e mandateve,Kuvendi ka hyrë në procedurë të paligjshme”, theksoi Gjiknuri. Ndërsa deputeti i PD-së Edi Paloka është shprehur se komisioni i ligjeve nuk po shkel ligjin duke shqyrtuar ndarjen e mandateve por kjo është një detyrim ligjor.
Raportojnë Lleshi dhe Biba/Ndërkohë më herët në lidhje me çështjen e ndarjes së mandateve në komisionin e ligjeve raportuan edhe kryetarja dhe nënkryetari i KQZ-së. Kryetarja e KQZ-së Lefteri Lleshi ka sqaruar arsyet se përse nuk u votua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ndarja e mandateve. “KQZ ka kryer llogaritjen e mandateve sipas informacioneve të marra nga Ministria e Brendshme. KQZ vendosi të mos ndante mandatet, pasi kjo gjë nuk u votua me shumicë të cilësuar”, tha kryetarja e KQZ-së Lefteri Lleshi.
Ndërsa, nënkryetari Denar Biba theksoi se KQZ-ja është në gjendje të marrë një vendim për ndarjen e mandateve. “Nuk dyshuam në falsitetin e të dhënave të Ministrisë së Brendshme por donim verifikim, pasi hidhej dyshim mbi integritetin e votës. Nuk erdhi informacioni që kërkuam nga Ministria e Brendshme, dhe KQZ nxitoi të votonte për mandatet. Nuk kemi dyshuar tek letra e MB, por të dhënat e dy akteve binin në kundërshtim me njëri-tjetrin. Në një moment të dytë ishim të gatshëm të votonim por nuk mund të kalohet në një vendim tjetër, nëse i pari s’është kaluar parimisht. KQZ-ja është në gjendje të marrë një vendim për ndarjen e mandateve”, tha Biba nënkryetari i KQZ-së. I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit demokrat Edi Paloka i cili i është drejtuar nënkryetarit të KQZ-së me fjalët:Ku e gjeni të drejtën ligjore për të hetuar dyshimin? Por nënkryetari i KQZ-së ka theksuar se kodi i procedurës administrative thekson se një anëtar i një institucioni kolegjial ka të drejtë për të hetuar. “KQZ nuk funksionon vetëm në bazë të Kodit Zgjedhor”, ka shtuar Biba. “Sipas Kodit,anëtarët e KQZ votojnë pro pse kundër, keni refuzuar me bindje të plotë duke shkelur ligjin”, theksoi Paloka. Ndërkohë nënkryetari i KQZ-së Biba ka theksuar se do të kërkohet që sot të mblidhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të shqyrtuar ndarjen e mandateve. “Tani e kemi informacionin e duhur për ndarjen e mandateve”, shtoi Biba. Ndërkohë, kreu i komisionit të ligjeve Ilir Rusmali theksoi se çështja e ndarjes së mandateve tani është në Kuvend dhe ka nisur të shqyrtohet.