Berisha: “Ekspertë të BE-së po monitorojnë Shqipërinë për liberalizimin e vizave”
Kryeministri Berisha i informoi dje deputetët e PD-së për ecurinë e plotësimit të Pyetësorit të BE-së. Ai tha se gjatë këtyre javëve kanë ardhur dhe do të vazhdojnë të vijnë ekspertë të BE-së për të monitoruar Shqipërinë, për të marrë më pas vendimin për liberalizimin ose jo të vizave. “Gjatë këtyre 2-3 javëve ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë në vijim një numër shumë të madh ekspertësh të vendeve anëtare të BE-së dhe të Komisionit Europian që po kontrollojnë në vend, po testojnë të gjitha praktikat, kriteret, kërkesat e Udhërrëfyesit për heqjen e vizave. Ajo çka vihet re është një punë shumë serioze në plotësimin dhe zbatimin e këtyre kërkesave. Shqipëria, që lëshoi pasaportën e parë biometrike në maj të këtij viti, sot ka të lëshuara mbi gjysmë milioni pasaporta të standardit më të mirë në botë”, - është shprehur Berisha. Ai shtoi se administrata ka ecur me një ritëm të mirë përsa i përket plotësimit të Pyetësorit.
“Në Komitetin Ndërministror të Integrimit, javën që kaloi ne shqyrtuam, një nga një, 7 kapituj, të cilët kishin të bënin me transportin, financat, bankën, doganat, peshkimin, pra, ishin të fushave të ndryshme. Javë pas jave do të analizohen kapitujt, derisa të arrijmë në përgjigjen e 2283 pyetjeve, të ndara këto në 35 kapituj. Shpresojmë që puna të ecë shumë mirë dhe ne ta finalizojmë këtë proces, më të rëndësishmin në historinë e marrëdhënieve tona me Bashkimin Europian dhe t’ia dorëzojmë Komisionit Europian në një afat 15 deri në 20 javë pas dorëzimit të tij autoriteteve shqiptare nga Komisioni”, - është shprehur kryeministri.
OKB-ja interesohet për zbardhjen e krimeve të komunizmit në Shqipëri
Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar dje takime me reporterin e posaçëm të OKB-së, Filip Alston. Gjatë takimit me Berishën, Alston bëri thirrje që shteti shqiptar të zbardhë krimet e kryera gjatë periudhës së komunizmit. Gjatë këtij takimi ai u informua rreth iniciativës së qeverisë shqiptare për krijimin e institutit për krimet e komunizmit dhe ngritjen e Task-Forcës për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të viktimave të komunizmit. Reporteri Alston e falënderoi kryeministrin Berisha për përpjekjet e qeverisë për transparencën dhe dënimin e krimeve të komunizmit duke i shprehur kryeministrit mbështetjen e plotë për iniciativën e qeverisë për zbardhjen e të gjitha krimeve të kryera nga regjimi diktatorial. “Shqipëria duhet të zbardhë të gjithë krimet e kryera gjatë periudhës së diktaturës komuniste dhe të bëjë transparencën e plotë për ngjarjet dhe aktorët”, - u shpreh Alston. Ndërsa gjatë takimit me presidentin Topi, Alston shprehu mirënjohjen për mikpritjen dhe gatishmërinë e treguar nga të gjitha institucionet e shtetit shqiptar gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri në përmbushje të misionit të posaçëm. Prof. Alston vlerësoi përparimin e bërë këto vite në vendin tonë dhe ndryshimet e dukshme pozitive që kanë ardhur në jetën e qytetarëve shqiptarë si përsa u përket transformimeve demokratike, ashtu edhe kujdesit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
23 Shkurt 2010