E Diel, 1 Nëntor 2026

Të hënën rinisin negociatat në prani të Presidentit të Asamblesë së KiE-së



Eljona Ballhysa
Ditën e hënë pritet të rinisin negociatat zyrtare mes palëve, në prani edhe të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, i cili do të vijë në Tiranë në krye të një delegacioni të lartë. Burimet bëjnë të ditur se përfaqësuesit ndërkombëtarë do të negociojnë me palët në mënyrë që të pranohet drafti i kompromisit i përgatitur nga Presidenca. Sipas burimeve, pritet që ditën e hënë të zbardhen edhe pikat e këtij drafti. Axhenda e Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës është tejet e ngjeshur me takime. Turku Mevlut Cavusoglu, që mban postin e kryetarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, i shoqëruar edhe nga krerët e 5 grupeve politike, bashkë me dy raportuesit për Shqipërinë, do të vijnë më datë 22 shkurt në Tiranë, në përmbushje të Rezolutës dhe për t’i imponuar një zgjidhje politikës shqiptare. Ky delegacion i lartë i Këshillit të Europës pritet të bëjë çmos për të arritur zgjidhjen e krizës në mënyrë që të vlerësohet në arenën ndërkombëtare roli dhe pesha e këtij organizmi ndërkombëtar.
Takimet
Në bazë të axhendës së bërë publike, kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Mevlut Cavusoglu, do të zbresë në Aeroportin e Rinasit ditën e diel në darkë. Sipas njoftimit zyrtar të Këshillit të Europës, kryetari i Asamblesë, së bashku me delegacionin e lartë që e shoqëron, do të mbështesë procesin e zgjidhjes së situatës politike aktuale dhe do të asistojë presidentin Topi në rolin e tij të mediatorit për rivendosjen e dialogut politik. Delegacioni do të takohet që në mëngjes herët, në orën 09:15 me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Me pas do të kenë takime me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, me kryeministrin Sali Berisha, me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Më pas delegacioni do të zhvillojë takim edhe me ambasadorët e rëndësishëm të vendeve të BE-së që janë me mision në Shqipëri dhe që kanë qenë pjesë aktive e negociatave për zgjidhjen e situatës. Në përfundim delegacioni do të zhvillojë një tjetër takim përmbyllës me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Të martën, më 23 shkurt, është parashikuar zhvillimi i një konference për shtyp në orën 10:00 në hotel “Rogner”, ku Delegacioni i Asamblesë së KiE-së do të bëjë publike rezultatet e negociatave intensive.
Rezoluta
Ky delegacion i lartë vjen në përmbushje të Rezolutës së miratuar më 28 janar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës. Në këtë rezolutë u pranua kriza politike në Shqipëri, ndërsa u mbështet roli i presidentit Topi si ndërmjetës mes palëve. Raporti, që përmbante 10 pika, i bënte apel politikës shqiptare të zhbllokojë në mënyrë urgjente krizën politike që ka bllokuar funksionimi normal i të gjitha institucioneve demokratike në vend. KiE i drejtohej me thirrje urgjente qeverisë që brenda pak ditëve të ngrejë një komision parlamentar hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të kaluar. Një thirrje e drejtpërdrejtë i drejtohej dhe opozitës, e cila duhet të kthehet në Parlament dhe të kontribuojë për ecurinë e reformave. Edhe ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian paralajmëruan dje se kriza politike duhej të zgjidhej para datës 6 mars, ndryshe integrimi europian i Shqipërisë vihej në rrezik.

Meçani: “Rinia demokratike mposhti më 20 shkurt diktaturën më të egër”

Partia Demokratike dhe qeveria kanë përkujtuar dje 20 shkurtin, ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha. Zëdhënësja për shtyp e kryeministrit Berisha, Juela Meçani, deklaroi dje se 19 vite pas rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, Partia Demokratike angazhohet në respektimin e lirive dhe demokracisë në vend dhe se kjo mbetet një prej objektivave të përhershëm të saj. “Sot, pas 19 vitesh, Partia Demokratike në pushtet dhe koalicioni i saj qeveritar dalin përpara shqiptarëve me zotimin solemn se garantimi i lirive dhe të drejtave të tyre, zgjerimi i tyre i vazhdueshëm, mbeten objektivat e përhershëm dhe më madhorë të programit të saj”, - u shpreh Meçani në një konferencë për shtyp. Meçani thekson se rinia demokratike e 19 viteve më parë arriti të mposhtë një prej diktaturave më të egra në Europë. “Më 20 shkurt, diktatura hoxhiste, e plagosur për vdekje, do të bënte të gjitha përpjekjet që me zjarr e hekur, të rivendoste forcën e saj, do të ndërmerrte ekzekutimin e të rinjve në rrugët e Tiranës, me falangat e saj të drejtuara nga Ramiz Alia dhe Gramoz Ruçi, do të akuzonte Partinë Demokratike për terrorizëm dhe do të përpiqej ta nxirrte atë jashtë ligjit”, - u shpreh ajo. Zëdhënësja e kryeministri, Meçani, theksoi se kjo datë është ndër më simboliket në historinë e vendit duke ndryshuar të ardhmen e vendit. “20 shkurti është dita e madhe e shembjes së busteve të gjalla të diktaturës hoxhiste, shpartallimit të bllokut-bunker që kishte mbjellë shtypjen më të egër dhe më barbare, persekutimin më të thellë, ekzekutimet, burgosjet, internimet e pothuaj një të katërtës së shqiptarëve dhe kishte zhytur Shqipërinë në varfërinë dhe në izolimin më ekstrem e më të thellë”, - u shpreh ajo. Meçani shprehet se 20 shkurti ishte dita kur qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë e shndërruan Partinë Demokratike në një nga opozitat më të fuqishme të Europës ish-komuniste. “Me heroizmin e tyre, studentët, të rinjtë, të rejat, burrat dhe gratë, qytetarët e Tiranës, në piedestalin e diktatorit më gjakësor të Europës, do të vendosnin njëherë e përgjithmonë lirinë e tyre”, - u shpreh ajo.

21 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›